Lidhje

Sen. Richard Lugar: Prania dhe kontributi shqiptar ndihet edhe jashtë kufijve të Ballkanit


Dje kryetari i Komisionit të Senatit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë, Senatori republikan nga Indiana, Richard Lugar, priti ministrin e Mbrojtes të Shqipërisë Fatmir Mediu, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara për takimin vjetor Amerikë-Shiqpëri në kuadrin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Tema e bisedimeve ishte shkatërrimi i armëve kimike në Shqipëri, statusi përfundimtar i Kosovës, lufta kundër korrupsionit dhe probleme të tjera me interes për rajonin e Ballkanit.

Senatori Richard Lugar vuri në dukje rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes në kuadrin e politikës rajonale të Shteteve të Bashkura lidhur me Kosovën, Ballkanin dhe operacionet ushtarake në Evropën Jugore dhe Juglindore.

Ministri shqiptar i Mbrojtes, Fatmir Mediu, tha se politika shqiptare është përqendruar në marrëdhëniet e forta dypalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe në synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Pas takimit, Senatori Lugar dhe ministri Mediu folën me Zërin e Amerikës:

Zëri i Amerikës: Zoti ministër cili ishte qëllimi i takimit me senatorin Lugar?

Ministri Mediu: "Siç dihet senatori Lugar është një përkrahës i çështjeve shqiptare sidomos i integrimit të Shqipërisë në NATO. Në saje të Senatorit Lugar ne jemi duke punuar në disa projekte konkrete në shkatërrimin e armëve kimike. Ky është një plan tashmë i përcaktuar. Ne kemi marrë të gjitha masat e sigurisë. Punimet do të fillojnë në muajin korrik të këtij viti dhe do të vazhdojnë deri në prill të vitit 2007. Tema të tjera të rëndësishme diskutimi ishin çështja e Kosovës, siguria dhe stabiliteti në rajon, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri dhe gjithashtu në rajon. Mendoj se ka shumë për t’u bërë dhe nevojitet përkushtim dhe punë. Qeveria shqiptare është e gatshme të marrë këto angazhime".

Zëri i Amerikës: Senator, ishte e mjaftushme paraqitja e ministrit Mediu për të fitur mbështetjen tuaj për pikësynimet e tij?

Senatori Lugar: "Ministri Mediu kishte mbështetjen time edhe përpara takimit, por ai shpjegoi në mënyrë të qartë përparimet të cilat janë të mëdha në Shqipëri, ku punohet kundër armëve të shkatërrimit në masë dhe në drejtim të ndërtimit të një demokracie të shëndoshë dhe të institucioneve të forta. Ne shpresojmë të bashkëpunojmë me ministrin Mediu dhe shqiptarët në sfidën e mijëvjeçarit e cila ofron mundësi për ndërtimin e një shteti më të fortë me një ekonomi të qendrueshme. Në të njejtën mënyrë ne mendojmë së bashku për NATO-n dhe zgjerimin e saj, si dhe mundësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Prania dhe kontributi shqiptar ndihet tashmë jashtë kufijve të rajonit, në Irak dhe Afganistan. Unë i shpreha ministrit mirënjohjen për guximin e madh të shqiptarëve që punojnë për paqen kudo në botë".

Zëri i Amerikës: Çfarë ofron Shqipëria në këtë bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara?

Senatori Lugar: "Shqipëria ofron mundësinë e një shteti të suksesshëm në zemër të Evropës, në një zonë ku qytetarët kanë vuajtur dhe kanë patur vështirësi në të kaluarën. Shqipëria ofron solidaritet në drejtim të marrëdhënieve trans-atlantike midis Shteteve të Bashkuara e Kanadasë dhe të një Evrope të integruar dhe të lirë. Është e rëndësishme që shqiptarët të dalin me sukses në këtë proces forcimi".

Zëri i Amerikës: Shikoni ndonjë rol për qeverinë shqiptare në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës?

Senatori Lugar: "Ministri Mediu ka një qëndrim të përgjegjshëm se shqiptarët e Kosovës duhet të kuptojnë të drejtat e pakicës dhe shumicës. Nevoja për rritje ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës janë pothuajse po aq të rëndësishme. Mendoj se në diplomacinë e saj, Shqipëria ka treguar aftësi për të ndihmuar në arritjen e një zgjidhje përfundimtare. Ne e inkurajojmë një qëndrim të tillë dhe shpresojmë që të arrihet një zgjidhje e përherëshme".

Zëri i Amerikës: Cili është qendrimi juaj si kryetar i Komisionit të Senatit për Mardhëniet me Jashtë në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës nëse palët në negociata nuk arrijnë marrëveshje?

Senatori Lugar: "Unë do të nxitja palët të ktheheshin në tryezën e bisedimeve. Më në fund populli i Kosovës dhe vendeve përreth duhet të arrijnë një marrëveshje. Komisioni i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë nuk do të sugjeronte ose impononte një zgjidhje, por të paktën ne mund të sigurojmë një ambient të përshtatshëm për të nxitur palët të kenë sukses në negociata".

Po dje Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë foli edhe në qendrën Woodrow Wilson në Uashington për angazhimin dhe përpjekjet e Shqipërisë në zgjidhjen e problemeve të brendëshme të vendit si krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe për të luajtur një rol konstruktiv në bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë. Zoti Mediu theksoi edhe një herë se qeveria shqiptare mbështet pavarësinë e Kosovës si statusin e saj përfundimtar dhe si një faktor të rëndësishëm stabiliteti në rajon.

XS
SM
MD
LG