Lidhje

Presidenti Bush shpreh shqetësim për dhunën sektare në Irak


Presidenti Bush shprehu shqetësim rreth dhunës sektare të kohëve të fundit në Irak, por shtoi se populli irakian është zbrapsur nga aktet e dhunës. Presidenti tha sot në Washington se ishte i kënaqur me përgjigjen e forcave irakiane të sigurimit, megjithëse ajo nuk ishte e përsosur.

Dhuna sektare u shtua pas shpërthimit të 22 shkurtit në një xhami shiite në Samara. Ndërsa sot në Samara, nga shpërthimi i 2 makinave bombë humbën jetën 3 veta, mes tyre edhe një imam në një xhami muslimane suni.

Presidenti Bush tha se në 16 prej 18 provincave të Irakut gjendja është relativisht e qetë. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të një qeverie të bashkuar irakiane, e cila të funksionojë sa më parë që të jetë e mundur.

Ndërkohë, Presidenti Xhalal Talabani nxori një dekret ku i kërkon parlamentit të ri irakian të mbajë seancën e tij të parë më 19 mars.

Në lajme të tjera, policia irakiane thotë se të paktën 7 vetë u vranë nga shpërthimi i një kamioni-bombë në Faluxha, ish bazë e kryengritësve në perëndim të Bagdatit. Policia tha se shpërthimi vetvrasës u krye afër një radhe makinash që prisnin në një postbllok.

Ndërsa në veri në Tikrit, të paktën një polic u vra dhe dy të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës në qytetin verior Tikrit.//rd//

XS
SM
MD
LG