Lidhje

Vllasi: do të kishte qenë më mirë që procedura kundër Millosheviçit të përfundonte me një vendim të Hagës


Azem Vllasi, ish kryetar i Lidhjes Komuniste të Kosovës në fund të viteve 1980, atëhere kur ish presidenti serb Millosheviç, me dorë të hekurt i hoqi autonominë Kosovës, thotë se do të kishte qenë më mirë që procedura kundër Millosheviçit në Hagë të përfundonte me një vendim fuqiplotë të Gjykatës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Vllasi tha se nga pikpamja politike, Serbia e Millosheviçit pak ka ndryshuar nga brenda.

Zëri i Amerikës: Ishte Millosheviçi një oportunist, që luftonte thjesht për pushtet apo ishte nacionalist që kujdesej për interesat e Serbisë si shtet?

Azem Vllasi: Fillimisht nuk mund të thuhej se Millosheviçi ishte një nacionalist serb i bindur. Ai më tepër linte përshtypjen si një komunist i ngurtë i modelit stalinist por i vullnetshëm për të patur pushtet të fortë. Ai shumë shpejt vlerësoi se ajo platformë politike dhe ideologjike, ajo ide dhe projekt me të cilin mund të ngrihej si lider i madh ishte nacionalizmi serb dhe aspiratat e Serbisë për të sunduar kudo ku jetonin serbë, pra në Jugosllavinë e atëhershme ku kishte një farë baraspeshe etnike mes njësive federale. Synimi i tij ishte ta zëvendësonte këtë me një projekt praktikisht të Serbisë së madhe. Ai vlerësoi se pikërisht ajo do të ishte platforma mbi të cilën mund të ngrihej si lider. Serbët e Kosovës ai vetëm i keqpërdori si pikënisje sepse ai startoi si çdo diktator tjetër, madje edhe si Hitleri, duke trilluar se kombi i tij ishte i rrezikuar. Së pari një gjë e tillë u trillua gjoja për serbët e rrezikuar në Kosovë, pastaj në Kroaci dhe në Bosnje. Millosheviçi e filloi karrierën si komunist, u bë menaxher i politikës nacionaliste dhe përfundoi si një udhëheqës brutal, si një njeri i cili pa dyshim pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas Hitlerit nxiti krimet me përmasat më të mëdha që njeh Evropa e pasluftës.

Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar se vdekja e Millosheviçit pa përfunduar gjyqi i tij në një farë mënyre e çliron nga faji Serbinë? A jeni i zhgënjyer që Millosheviçi vdiq pa përfunduar gjyqi i tij?

Azem Vllasi: Drejtësia e gjen vendin e vet në gjyq por për refleksione politike të mëvonshme dhe për historinë, do të ishte më mirë që procedura kundër Millosheviçit në Hagë të përfundonte me një aktgjykim fuqiplotë. Me vdekjen e Millosheviçit praktikisht në aspektin politik përfitoi Serbia pasi qarqet serbe dhe ithtarët e tij mund të pohojnë se krimet për të cilat është akuzuar Millosheviçi janë vetëm një akuzë por nuk ka një gjykim fuqiplotë ndaj tyre. Megjithatë, faktikisht opinioni ndërkombëtar dhe të gjithë ne, shqiptarë, boshnjakë e kroatë që kemi qenë viktima të Millosheviçit e dimë fare mirë të vërtetën dhe pranë Tribunalit të Hagës janë depozituar prova. Mund të them se e kam përcjellë atë Tribunal dhe më vjen keq që nuk mu dha rasti të shkoja për të dëshmuar ndonëse isha i ftuar në qershor të 2003-shit. Më shumë se 99 përqind të këtyre provave janë shtjelluar si bindëse për krimet e Millosheviçit.

Zëri i Amerikës: A ka rrezik që vdekja e Millosheviçit të nxisë ndjenjat nacionaliste në Serbi, sidomos tani që kanë filluar negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës?

Azem Vllasi: Lidhur me procesin e negociatave për statusin e Kosovës, vdekja e Millosheviçit nuk ndryshon asgjë. Por lidhur me vdekjen e tij do të shihet edhe një herë qartë në skenën politike të Serbisë se Serbia e Millosheviçit përbrenda pak ka ndryshuar. Por prej kohës kur ai është arrestuar dhe dërguar në Hagë që të përgjigjet për krimet e bëra, praktikisht ai nuk ka patur ndikim as drejtpërdrejt as tërthorazi për zhvillimet në Kosovë dhe nuk do të ketë asnjë rëndësi për zhvillimin e procesit të mëtejshëm, i cili gjithsesi do të përfundonjë me pavarësinë e Kosovës. Mund të them se ndonëse ishin vuajtje të mëdha por me brutalitetin e vet, Millosheviçi i bëri gjërat më të qarta edhe para opinionit ndërkombëtar në favorin tonë, në sensin që nuk ka më kuptim që Kosova të mbetet në kuadrin e Serbisë por si të jetë si të gjitha njësitë e tjera federale që fituan pavarësinë.

Zëri i Amerikës: Zoti Vllasi, sot thuhet gjerësisht se Serbia e ka humbur përfundimisht Kosovën. Mendoni se kjo ishte thjesht rrjedhojë e politikës së Millosheviçit apo ishte një prirje që nuk do të mund të ndalej dot?

Azem Vllasi: Politika e Millosheviçit e përshpejtoi një proces të tillë por meqenëse Serbia si shtet asnjëherë nuk ka qenë e vetmja kornizë shtetërore për Kosovën por ka patur një kornizë më të gjerë – Jugosllavia - ku ishte vendosur Kosova me statusin e vet, praktikisht me proceset që filloi Millosheviçi, brenda Serbisë në asnjë mënyrë nuk ka mbetur vend për Kosovën. Më në fund, nën udhëheqjen e Millosheviçit Serbia bëri luftë për territorin e Kosovës por luftë duke i dëbuar shqiptarët nga këto troje dhe meqenëse e humbi këtë luftë, ajo përfundimisht e humbi edhe Kosovën.

Zëri i Amerikës: Si i shikoni bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës, sa të vështira janë ato kur qendrimet e palëve janë aq të ndryshme?

Azem Vllasi: Përsa u përket qendrimeve të ndryshme lidhur me statsuin përfundimtar të Kosovës, kjo nuk duhet të shikohet dhe aq e vështirë sepse ndërmjetësuesit ndërkombëtarë janë më se të bindur se tjetër zgjidhje nuk ka përveç pavarësisë. Prandaj nuk do të kërkohet edhe aq pëlqimi i palës serbe. Mirëpo për çështjet konkrete të cilat do të përbëjnë paketën e pavarësisë siç janë raportet ekonomike apo fati i personave të pagjetur, pakicat e shumë çështje të tjera sigurisht nënkuptojnë një punë të madhe. Praktikisht procesi lidhur me statusin është duke u zhvilluar si proces për dhënien e sigurimeve të duhura dhe për pozitën e qytetarëve serbë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG