Lidhje

Departamenti i Shtetit: Millosheviçi ishte përgjegjësi kryesor i konflikteve të viteve ’90 në Ballkan


Në një deklaratë të Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se Sllobodan Millosheviçi ishte eksponenti kryesor përgjegjës për dhunën që solli shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet 90-të, duke përfshirë edhe luftërat e tmerrshme në Bosnje dhe Kosovë.

Regjimi i Millosheviçit, thotë deklarata, ka vite që mori fund dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin të ardhmen paqësore, të sigurt e të begatë për popullin e Serbisë dhe integrimin e saj më të madh në komunitetin euro-atlantik.

Më tej në deklaratën e Departamentit të Shtetit thuhet se Millosheviçi po gjykohej nga gjykata ndërkombëtare për krimet e luftës në ish Jugosllavi lidhur me masakrat e kryera në konfliktet ballkanike të viteve 90-të. Ai u akuzua për gjenocid, krime kundër njerëzimit, shkeljen e ligjeve dhe rregullave të luftës, si dhe të Marrëveshjeve të Gjenevës. Gjyqi i tij, që filloi në shkurt të vitit 2002, ishte gati në përfundim.

Gjykata do të shqyrtojë tani rrethanat e vdekjes së tij. Shtetet e Bashkuara shprehin edhe një herë mbështetjen e tyre për Gjykatën dhe punën e saj, përfundon deklarata e Departamentit amerikan të Shtetit.

XS
SM
MD
LG