Lidhje

Anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit diskutojnë për Iranin


Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara zhvilluan bisedime me dyer të mbyllura për programin bërthamor të Iranit.

Ambasadorë nga Kina, Franca, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania u mblodhën dje në New York në një takim privat që zgjati 90 minuta. Diplomatët thanë se takimi kishte si synim hartimin e një deklarate që do të diskutohet nga i gjithë Këshilli i Sigurimit javën e ardhshme.

Ambasadori amerikan John Bolton tha para takimit se nuk bëhet ende fjalë për sanksione dhe se Shtetet e Bashkuara duan ta zgjidhin këtë situatë me mjete paqësore dhe diplomatike. Ai tha se në fakt gjithçka varet nga Irani.

Anëtarët kanë opinione të ndryshme për rolin që duhet të luajë Këshilli i Sigurimit në debatin për veprimtaritë bërthamore të Iranit.

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Iranin se po përpiqet të prodhojë armë bërthamore. Irani vazhdimisht e ka kundërshtuar akuzën, duke thënë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.

XS
SM
MD
LG