Lidhje

Udhëheqësit botërorë thonë se vdekja e Sllobodan Millosheviçit zhgënjim për viktimat


Vdekja e ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç, ka ngjallur zhgënjim në radhët e udhëheqësve botërorë dhe të viktimave se ai nuk jetoi për t’u përballur me drejtësinë nën më shumë se 60 akuza për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Shtetet e Bashkuara shprehën mbështetjen e tyre për gjykatën e Hagës për krime lufte që po gjykonte ish-udhëheqësin jugosllav.

Sllobodan Millosheviçi vdiq në një qeli të Qendrës së Paraburgimit të Kombeve të Bashkuara pranë Hagës, ku ai ishte nxjerrë në gjyq për rolin e tij në luftrat në ish-Jugosllavi.

Në Kosovë, Ulpiana Lama, zëdhënësja e Kryeministrit Agim Çeku, tha se ajo nuk ishte gëzuar dhe as dëshpruar nga lajmi për vdekjen e zotit Millosheviç: “Ne na vjen keq që zoti Millosheviç nuk jetoi për t’u përballur me rezultatet e procesit gjyqësor kundër tij dhe me të vërtetën e atyre që ka bërë gjatë viteve 90 në Kosovë dhe në pjesë të tjera të Ballkanit.”

Edhe presidenti Kroat, Stipe Mesiç, tha se i vjen keq që Sllobodan Millosheviçi nuk jetoi mjaft për të marrë dënimin që meritonte.

Ish i dërguari i komunitetit ndërkombëtar për Ballkanin, David Ouen, i tha televizionit britanik se Millosheviçi ishte një njeri me karakter kompleks, i pamëshirshëm dhe i çmendur për pushtet. Lordi Ouen tha se është tragjedi që Millosheviçi vdiq para se të përfundonte gjyqi nën akuzat për krime lufte që rrjedhin nga mizoritë e kryera në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë: “Nuk ka dyshim se viktimat ndihen disi të mashtruara nga vdekja e tij. Por, ajo që është edhe më e rëndësishme, serbët, të cilët kanë filluar ta kuptojnë se ata ishin përgjegjës për këtë gjë, kishin nevojë të dëgjonin vendimin e gjykatës. Ata panë në televizion pamje të masakrës së Srebrenicës dhe një deklarim i fajësisë do t’i kishte bërë ata të përballen me realitetin.”

Nënat dhe të vejat e disa prej 8 mijë burrave dhe djemëve myslimanë të masakruar në qytetin Srebrenica të Bosnjës në vitin 1995, pajtohen me vlerësimin e Lordit Ouen.

Një prej tyre thotë se nuk është e gëzuar për vdekjen e zotit Millosheviç dhe se kishte dëshiruar që ai të jetonte për të marrë dënimin që meritonte.

Sekretari i jashtëm britanik, Xhek Strou, tha se shpreson që vdekja e zotit Millosheviç do ta ndihmojë popullin e Serbisë të pranojë të kaluarën në mënyrë që të jetë më i përgatitur për të ardhmen: “Ajo që ka rëndësi, është që rajoni, në mënyrë të veçantë populli i Serbisë, t’i kthejë shpinën të kaluarës së zotit Millosehviç dhe jetës së tij, e cila ka qenë një ndikim i keq mbi popullin e Serbisë dhe gjithë rajonin.”

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, tha se u shpreh keqardhjen të gjithë atyre, të cilëve zoti Millosheviç u ka shkaktuar vuajtje. Ai shprehu besimin se gjyqi i Milloshevit ishte i drejtë dhe shpreson se vdekja e tij do ta ndihmojë Serbinë të hedhë vështrimin nga e ardhmja: “Gjëja e parë që dëshiroj t’i them popullit të Serbisë, është që ai e ka vendin në gjirin e familjes së popujve evropianë. Unë mendoj se drejtësia është çuar në vend.”

Mirëpo në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian thotë se vdekja e Millosheviçit nuk e shkarkon Serbinë nga përgjegjësia për dorëzimin e personave të akuzuar për krime lufte, përfshirë dy më të kërkuarit, ish udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, dhe komandantin e tyre ushtarak gjatë luftës, Ratko Mlladiç.

Ndërkohë, reagimet nga Serbia dhe vendet e tjera të përfshira nga konfliktet ballkanike të viteve 1990, ishin të ndryshme.

Megjithëse Sllobodan Millosheviçi u përmbys nga pushteti në vitin 2000, në Serbi janë vënë re disa skena pikëllimi. Përkrahës të Millosheviçit e cilësuan vdekjen e tij si humbje të madhe. Televizioni shtetëror luajti muzikë klasike ndërmjet buletineve të lajmeve.

Ministri serb i Drejtësisë, Zoran Stojkoviç, tha se ishte tronditur dhe shtoi se Gjykata e OKB-së për krime lufte nuk i kishte siguruar kujdes të përshtatshëm mjekësor ish-udhëheqësait jugosllav. Mirëpo, ata nuk morën ngushëllime nga kundërshtarët e Millosheviçit. Ministri i jashtëm serb, Vuk Drashkoviç, kujtoi ditët kur ishte në opozitë: “Sllobodan Millosheviçi urdhëroi vrasjen e shumë pasuesve të mi, vrasjen e pjesëtarëve të familjes time dhe të njerëzve në partinë që kryesoj. Millosheviçi organizoi disa përpjekje për atentat kundër meje. Çfarë mund të them më shumë. Është fakqeësi që Millosheviçi nuk u përball me drejtësinë në Beograd.”

Në Kosovë, Veton Surroi, i cili ka dëshmuar kundër Millosheviçit, tha se i vjen keq që ish-presidenti serb nuk jetoi 100 vjet në mënyrë që të qendronte një kohë të gjatë në burg.

Por, ministri i jashtëm i Bosnjë-Hercegovinës, Mlladen Ivaniç, tha se shpreson që vdekja e Millosheviçit do të inkurajojë popujt e Ballkanit të lënë mënjanë të kaluarën e përgjakshme dhe të hedhin vështrimin drejt të ardhmes. Zoti Ivaniç, i cili e bëri këtë koment në Austri, ku po merrte pjesë në një takim të ministrave të jashtëm evropianë, theksoi se është qenësore që Ballkani të vazhdojë bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës për krime lufte. BE-ja e ka bërë dorëzimin e personave të akuzuar për krime lufte kusht për hapjen e negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi për anëtarësim në bllok.

Edhe ministrja e jashtme e Austrisë, Ursulla Plasnik, vendi i së cilës mban kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, tha se rajoni duhet të hedhë vështrimin nga e ardhmja.

Rreth 250 mijë veta humbën jetën dhe miliona të tjerë u zhvendosën gjatë luftrave që shpërthyen nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Sllobodan Millosehviçi është fajësuar për nxitjen e pjesës më të madhe të urretjes që çoi në konfliktin më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG