Lidhje

Rajs: Milosheviçi një nga forcat më keqbërëse në Evropë


Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice tha se historia ka dhënë tashmë vlerësimin e saj ndaj Sllobodan Milosheviçit, edhe pse ai vdiq para se gjykata e Hagës të jepte vendimin e saj. Zonja Rice tha se ish presidenti jugosllav ishte një nga forcat më keqbërëse në Evropë.

Sekretarja Rice tha se do të ishte mirë sikur Gjykata e Hagës të kishte qënë në gjendje të merrte një vendim të sajin për Slobodan Milosheviçin. Por ajo shtoi se vendimi përfundimtar i historisë është tashmë i qartë, se ish presidenti jugosllav për një kohë të gjatë ishte një nga forcat më keqbërëse në Evropë.

Në një bisedë me gazetarët gjatë fluturimit nga Kili në Indonezi, sekretarja e shtetit tha se Milosheviçi ishte padyshim përgjegjës për vdekjen e shumë njerëzve në konfliktin ballkanik, si dhe në shpërbërjen e Jugosllavisë, dhe ndarjen e saj nga komuniteti ndërkombëtar. Megjithatë, ajo foli me nota pozitive për të ardhmen e rajonit të Ballkanit duke thënë se pas epokës së Milosheviçit po ndodhin zhvillime të reja. Shtetet e Bashkuara, tha ajo, kërkojnë të shohin një të ardhme më të mirë për popullin e Serbisë dhe Malit të Zi, dhe po punojnë me ta për t’ja arritur këtij qëllimi dhe për integrimin e tyre me pjesën tjetër të Evropës.

Zonja Rice po bën një turne mbarë botëror që filloi me inagurimin e presidentes së re të Kilit, Michelle Bachelet dhe do të vazhdojë të hënën me vizitën e saj të parë në Indonezi si sekretare shteti.

Në konferencën e saj për shtyp në avion, sekretarja Rice mbrojti vendimin e presidentit Bush për rifillimin e ndihmave ushtarake dhe të mbrojtjes me Indonezinë, pas një viti ndërprerjeje për shkak të çështjeve të të drejtave të njeriut. Ajo tha se Indonezia po bëhet përherë e më shumë një vend i suksesshëm, duke lavdëruar zgjedhjet e saj demokratike, zgjidhjen e konfliktit separatist mbi Timorin Lindor dhe Acehun dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.

Sekretarja Rice tha se do t’u bëjë thirrje myslimanëve të Indonezisë të përdorin ndikimin e tyre për të inkurajuar lëvizjen islamike palestineze Hamas që të përkrahë me vendosmëri atë që ajo e quajti konsesus ndërkombëtar për të hequr dorë nga dhuna dhe për të njohurtë drejtën e Izraelit për të ekzistuar. Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk do t’i japin ndihma një qeverie të udhëhequr nga Hamasi, për shkak të së kaluarës terroriste, zonja Rice tha se administrata e presidentit Bush po përpiqet të gjejë rrugët për të shtuar ndihmat humanitare amerikane për popullin palestinez. //rd//

XS
SM
MD
LG