Lidhje

Administrata e SHBA-së do të përshpejtojë procesin e marrjes së shtetësisë amerikane


Administrata e presidentit Bush thotë se po përpiqet të përshpejtojë procesin e kërkesave për marrjen e shtetësisë amerikane. Synimi është që i gjithë procesi i shtetësisë të përfundojë brenda 6 muajsh nga data e paraqitjes së kërkesës. Aktualisht ka raste që procesi zgjat nga një deri në disa vite.

Çdo qytetar i ri amerikan bën betimin, herët a vonë. Por kreu i agjencisë që merret me shtetësinë amerikane e pranon se lista e njerëzve që kanë paraqitur kërkesë është tepër e gjatë:

"Shpesh, në varësi të zyrës ku shkon, pritja është e gjatë, disa herë e tepruar, prandaj kemi filluar një program për t’u dhënë zgjidhje sa më shpejt gjithë kërkesave të prapambetura. Gjatë tre viteve të fundit kemi shtuar burimet njerëzore dhe financiare për të përshpejtuar procesin."- thotë ai.

Emilio Gonzalez, drejtor i Agjencisë së Imigracionit dhe Shtetësisë Amerikane foli në një konferencë për shtyp në Uashington. Ai tha se Shtetet e Bashkuara marrin më shumë kërkesa për imigracion dhe shtetësi sesa çdo vend tjetër dhe procesi merr kohë.

" Ne duhet të kontrollojmë 135 mijë emra në ditë, 35 milionë në vit. Është një numër i madh."

Zoti Gonzales thotë se ndërsa kohëzgjatja e marrjes së një vendimi për kërkesat është e rëndësishme, ai thotë se është më i rëndësishëm kontrolli i saktë i së kaluarës të atyre që kërkojnë të bëhen shtetas. Agjencia amerikane për Imigracionin dhe Shtetësinë po përgatitet tani të merret me kërkesat e një programi të propozuar nga Presidenti Bush për punëtorë sezonalë, program që do të lejonte miliona imigrantë të paligjshëm, të vazhdojnë të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara me leje të përkohëshme. Propozimi duhet të miratohet më parë nga Kongresi.//lk

XS
SM
MD
LG