Lidhje

Një zbulim i jashtëzakonshëm, zjarr dhe akull së bashku në pluhurin yjor

  • David Mekeleri

Shkencëtarët amerikanë thonë se janë të befasuar nga përbërja e kampionëve të pluhurit yjor që një anije e hapësirës solli nga një kometë në janar. Ato përmbajnë grimca minerali të derdhura në një nxehtësi të lartë, që shkencëtarët nuk mendonin kurrë se mund të gjendej brenda një komete të formuar në kushte të temperaturave shumë të ulëta përtej Neptunit.

Donald Braunli, shkencëtari që udhëheq studimin e Stardustit në Universitetin e Uashigtonit, përshkruan zbulimin befasues, pas inspektimit të disa grimcave në një ambjent të posaçëm të NASA-s në Houston.

“Është një zbulim i jashtëzakonshëm. Ne gjetëm zjarr dhe akull së bashku”.

Astronomi Donald Brownlee i Universitetit të Washingtonit shton:

“Ne kemi gjetur pjesëza në pjesën më të ftohtë të sistemit diellor, pjesëza të formuara në temperatura tepër të larta. Mendohet se akulli në kometa u formua në temperatura rreth 30 gradë nën zero, megjithatë ne po gjejmë minerale të formuara në një nxehtësi 1 mijë e 500 gradë”.

Kometat janë mbetje nga periudha e formimit të sistemti tonë diellor rreth 4,5 miliardë vjet më parë. Disa shkencëtarë besojnë se studimi i këtyre pjesëzave nga kometat mund t’u japë përgjigje pyetjeve rreth krijimit të planetit tonë.

Brownlee thotë se pjesëzat e analizuara janë të ngjashme me mineralet e temperaturave të larta të gjetura në meteoritet, që qarkullojnë shumë më afër diellit. Këto rezultate duket se hedhin poshtë teorinë se në periudhën e formimit, sistemi ynë diellor ishte i nxehtë në qendrën e tij dhe i ftohtë në periferi, nga ku janë marrë edhe mostrat e kometave.

Në janar të vitit 2004, Stardust kaloi nëpër bishtin e kometës së quajtur Wild Two, duke mbledhur mijra copëza nga pluhuri i saj. Dy vjet më vonë, sonda me pjesëzat e kometës zbriti në Tokë në shtetin perëndimor amerikan të Utah-s, duke i dhënë kështu fund një udhëtimi prej reth 4.8 milionë kilometrash. Para mbërrijtes në Tokë të mostrave të Stardustit, mostrat e vetme që kishin shkencëtarët nga hapësira ishin mostrat nga hëna që sollën në Tokë astronautët e anijes Apollo në vitet 60-të dhe 70-të, si dhe meteoritet që kishin rënë në Tokë.

Deri tani më shumë se 150 mostra u janë shpërndarë shkencëtarëve nëpër botë, të cilët do të përpiqen të gjejnë përgjigje për këto pyetje. Në prill shkencëtarët do të fillojnë të studiojnë grimcat ndëryjore që nuk i takojnë kometës. Ata planifikojnë të vendosin në internet miliona fotografi të grimcave, në mënyrë që vullnetarët në kompjuterat e tyre të mund t’i identifikojnë ato.//lk

XS
SM
MD
LG