Lidhje

Gjykatësi në gjyqin e Sadam Huseinit ndalon praninë e gazetarëve në seancë


Sadam Huseini dëshmoi sot për herë të parë në gjyqin që po zhvillohet ndaj tij nën akuzat për vrasje ku zhvilloi një debat të ashpër me kryegjykatësin, duke bërë që gjykatësi të nxirrte nga salla e gjyqit gazetarët.

Pas rreth dy orësh, gjykatësi e shyu gjyqin për më 5 prill. Sadami e quajti gjyqin “komedi”, pastaj filloi të mbajë një fjalim, të cilin gjykatësi e quajti politik dhe i kërkoi atij t’i japë fund fjalimit.

I pandehuri Sadam Husein vazhdoi të flasë, duke këmbëngulur se ai është ende President i Irakut. Por gjykatësi i kujtoi Sadamit se ai është tani i pandehur nën akuzat për vrasje dhe jo më president.

Sadam Huseini doli sot në gjyq, dy javë pasi pranoi se kishte dhënë një urdhër, që çoi në vrasjen e 148 burrave shiitë në fshatin e Duxhailit në vitin 1982. Ai tha se urdhëri ishte i ligjshëm dhe se një gjykatësi kishte arritur në përfundimin se të gjithë personat e ekzekutuar kishin qenë fajtorë për përpjekje për vrasjen e Sadam Huseinit.

Ish-diktatori irakian dhe 7 të pandehurit e tjerë në gjyq, do të dënohen me varje në se gjenden fajtorë.

Masa amerikane shtesë për pelegrinazhin vjetor në Karbala

Ushtria amerikane po dislokon një batalion shtesë prej rreth 700 trupash në Irak, për të garantuar më tepër siguri për shiitët, që po kryejnë një pelegrinazh vjetor në qytetin e shenjtë të Karbalës.

Autoritetet thonë se kjo njësi e mekanizuar me bazë në Kuvajt do të shërbejë për të paktën 30 ditë, për të përmirësuar gjendjen e sigurisë gjatë ditëve që do të zhvillohet festivali fetar i shiitëve, që lidhet me festën e Ashures, e cila përfundon ditën e hënë. Festimet e përvitshme për Ashuren janë karakterizuar që nga viti 2003 nga sulme vdekjeprurëse të kryera nga kryengritësit suni.

Ndërkohë, zyrtarët ushtarake amerikanë në Irak thanë se një kryengritës, 2 gra dhe një fëmijë humbën jetën gjatë një përleshjeje midis forcave amerikane dhe ekstremistëve në veri të Bagdatit. Por policia dhe banorët thonë se 11 vetë u vranë gjatë bastisjes së një shtëpie afër Baladit, ndërkohë që agjencia e lajmeve Associated Press thotë se në fotografitë e saj shikohen 11 trupa të mbështjellë me batanije, që mbërrinin në një spital të Tikritit.

XS
SM
MD
LG