Lidhje

Mustafaj: Shqipëria kontribuon sot me të gjitha energjitë për pavarësinë e Kosovës si një shtet fqinj


Ministria e Jashtme e Shqipërisë sqaroi sot se qëndrimi i Shqipërisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk ka ndryshuar. Duke iu referuar disa komenteve të bëra nga Ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, në një intervistë të ditës së hënë, ku sipas shtypit ai është cituar të ketë thënë se “në rast ndarje të Kosovës, nuk mund të ketë garanci për mosndryshim kufijsh në Ballkan”, Ministria e Jashtme thekson sot se komentet kanë patur qëllim retrospektiv.

Intervistë e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Besnik Mustafaj për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër kjo nuk është hera e parë që deklaratat e qeverisë së Shqipërisë për Kosovën ngjallin reagime. Në të kaluarën Tirana është kritikuar për deklarata tepër të buta, e kam fjalën kur përmendej çështja e kushtëzimit të pavarësisë, ndërsa kjo e fundit të çon në ekstremin tjetër, atë të idesë së bashkimit të territoreve. Cili është qëndrimi i Shqipërisë për Kosovën dhe Ballkanin?

Besnik Mustafaj: E para dua të them se kjo deklaratë nuk është në asnjë pikë në kundërshtim me politikën konstruktive dhe të qartë, që qeveria ku unë bëj pjesë, ka ndjekur përsa i përket çështjes së Kosovës. Kjo është pjesë e një shpjegimi që unë kam dhënë në një intervistë, ku pyetjes së gazetarit pikërisht për eventualitetin e ndryshimit të kufijve, unë i kam bërë një retrospektivë, kur të njejtës pyetje, i jam përgjigjur në Bruksel në tetor të vitit të kaluar dhe kam shpjeguar, se kur flasim për pavarësinë e kushtëzuar, kemi parasysh një Kosovë me integritet të plotë territorial, pra me sovranitet të plotë të Prishtinës si kryeqytet, me atë ç’ka nënkupton kryeqyteti mbi gjithë territorin e saj dhe kam shtuar se ne nuk japim garanci se nuk do të ketë ndryshim kufijsh në rast se copëtohet Kosova. Unë mendoj se ky ishte qëndrimi më i drejtë në atë moment, kur qeveria serbe, copëtimin e Kosovës, ndarjen e Kosovës, e kishte si një opsion. Pra çdo njeri në këtë planet i interesuar për Kosovën, qoftë profesionalisht, apo për arësye të tjera, e kupton se ndarja e Kosovës, do të shoqërohej me ndryshime kufijsh. Por në të njejtin shpjegim, unë kam bërë edhe deklaratën të cilën po ua citoj fjalë për fjalë: “ne u qëndrojmë angazhimeve që kemi përpara komunitetit ndërkombëtar dhe përpara shqiptarëve. Ne kontribuojmë sot me të gjitha energjitë tona për pavarësinë e Kosovës si një shtet fqinj me ne”, pra insistoj tek termi “fqinj me ne”. Diplomacia e ka për detyrë, që të shqyrtojë të gjitha opsionet dhe të mbajë qëndrimet e duhura eventuale ndaj të gjitha opisioneve, që të përgatisë shtetin e vet, aq më tepër diplomacia shqiptare, kur flitet për Kosovën dhe për rajonin në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, komentet e sotme për Kosovën, ndërsa është duke u zgjidhur statusi i saj, ndiqen me vëmendje të mëdha dhe ngjallin gjithmonë reagime. A jeni ju i shqetësuar se komente si ato që bëtë ju, qoftë edhe duke patur parasysh retrospektivën, siç e shpjeguat ju tashmë, a mendoni pra se komente të tilla, ndihmojnë apo pengojnë procesin e sotëm të Kosovës.

Besnik Mustafaj: Absolutisht, pavarësisht se këto i përkasin një momenti të caktuar, këto vetëm i shërbejnë asaj ç’ka pritet të ndodhë nga negociatat. Pra ato i shërbejnë pikërisht pavarësisë si opsioni më realist, sepse ne nuk jemi pasiv, ne shqyrtojmë të gjitha opsionet dhe ne e kemi thenë se jemi aktivë, por jo aktorë. Si aktivë ne duhet t’i shqyrtojmë të gjitha opsionet dhe pasojat që do të ketë mbi vendin tonë, një opsion që bie ndesh me realitetin. Pra në këtë kuptim, ne mbështesim fuqimisht opisionin realist, që është pavarësia. Ministria e Jashtme Shqiptare nuk mund të qëndrojë pa marrë pjesë në debatin ku marrin pjesë të gjitha kancelaritë diplomatike të botës. Duhet të jemi realist dhe të shohim se çfarë konsiderojmë të rëndësishme, prioritare dhe të mundshme dhe çfarë konsiderojmë të rrezikshme. Në këtë kuptim ndarja midis të dy nocioneve është e domosdoshme. Sot unë kam patur një bisedë telefonike, me kolegen time Mitreva në Shkup, me të cilën jemi mirëkuptuar qartë dhe kemi patur një bisedë shumë miqësore. Në këtë kuptim unë mendoj se nuk janë spekullimet rruga më e mire, për të mbështetur politikën e jashtme, nuk është heshtja, sepse ne ishim mësuar me memecëri, do të thosha të shëmtuar të Ministrisë së Jashtme nga paraardhësit e mi. Unë mendoj se roli i Ministrisë së Jashtme Shqiptare, i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, nuk është të rijë memec. Jo gjithmonë heshtja është flori.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, një teori zgjidhje e statusit të Kosovës, ndonëse është kundërshtuar fuqimisht nga komuniteti ndërkombëtar, por që ekziston si teori, është ndarja e saj. Në qoftë se e vazhdojmë më tej atë që thatë ju para dy ditësh, se “Tirana nuk do të jetë e papërgatitur për çfarëdo skenarësh”, për çfarë përgatitjesh është fjala?

Besnik Mustafaj: Ne jemi diplomatë. Ne nuk kemi përgatitje të tjera përveçse analizave diplomatike. Unë kam folur për Ministrinë e Jashtme dhe Ministria e Jashtme e ka për detyrë të shqyrtojë nga ana diplomatike të gjitha pasojat, e të gjitha oposioneve.

Zëri i Amerikës: Le ta vazhdojmë më tej këtë ide. Këtu kemi të bëjmë me tezën e së ashtuquajturës Shqipëri të Madhe, për të cilën janë hedhur dy pikëpmaje të ndryshme, një palë që thotë se kjo do të sillte paqëndrueshmëri në Ballkan dhe një tjetër që thotë se kjo është zgjidhja afat-gjatë. Në shumë vende, zakonisht, teza të tilla polemizuese, trajtohen për konsum publik nga organizata jo qeveritare, ose nga institucione studimore. A ka në vendin tuaj përpjekje të tilla, shkëmbime pikëpamjesh për skenarë të mundshëm?

Besnik Mustafaj: Unë dua t’ju them se termi Shqipëri e Madhe nuk është term as i politikës, as i historiografisë shqiptare. Në këtë kuptim unë nuk hyj në polemika. Ky term nuk është në zhargonin, në fjalorin politik zyrtar apo shkencor të Shqipërisë. Mua nuk më intereson perceptimi, ose artikulimi që bëjnë segmente të caktuara të cilët e njohin pak Shqipërinë, ose botën shqiptare, ose nuk e njohin hiç. Në këtë kuptim unë ndjehem i qetë për të mos hyrë në një polemikë të tillë. Nga ana tjetër unë mendoj se historia në Kosovë ka hyrë në një fazë shumë serioze dhe nuk ka nevojë të bëjmë skenare të cilat edhe vetë Presidenti Ahtisari me grupin e tij, i shpjeguan qartë se nuk do të ndodhin. Një nga parimet drejtuese të udhëzuesve të grupit të kontaktit dhe grupit negociator, është se nuk ka ndarje të Kosovës, pra nuk ka më nevojë të flitet për gjera të tilla.

XS
SM
MD
LG