Lidhje

Vëmendja e shkencëtarëve tek ndryshimi i virusit të gripit të shpendëve


Ndërsa kërcënimi nga gripi ishpendëve po përhapet në botë, vëmendja kryesore e shkencëtarëve është përqëndruar në studimin e virusit, për të zbuluar se kur dhe në se, virusi mund të ndryshojë dhe të kalojë nga shpendët tek njeriu.

Gripi i shpendëve është konfirmuar tani në më shumë se 40 vende të botës dhe zyrtarët e shëndetësisë po përpiqen të frenojnë përhapjen e tij. Nga rreth 200 njerëz të diagnostikuar me gripin e shpendëve deri tani, më shumë se gjysma e tyre kanë vdekur. Ata e morën virusin nga kontakti me pulat, rosat dhe zogjtë.

Deri tani virusi i gripit të shpendëve nuk përhapet nga njeri tek njeriu. Dr. Robert Webster mbledh dhe studion lloje të virusit në laboratorin e tij në Memphis. Ai thotë se ka shumë të ngjarë që virusi të pësojë ndryshime gjenetike dhe të bëhet i aftë për të kaluar nga shpendët tek njerëzit: "Ka shumë të ngjarë tani që virusi të ndryshojë për t’u transmetuar nga njeriu tek njeriu", thotë Webster. Në se kjo ndodh, epidemia vdekjeprurëse do të përhapej shumë shpejt në mbarë botën: "Është e papranueshme të mendosh se mund të vdesë 50 përqind e popullsisë, por mendoj se kjo mundësi ekziston. Më vjen keq në se njerëzit frikësoshen, por kjo është detyra ime.”

Dr. Jeffrey Taubenbergen në Institutin e Pathologjisë të Forcave të Armatosura thotë se ekziston një përvojë frikësuese, ajo e epidemisë së vitit 1918: "Rreziku i gripit të tanishëm të shpendëve është se virusi mund të jetë duke u ndryshuar në të njëjtën mënyrë si ai i vitit 1918". Dr. Taubenberger drejton grupin e studiuesve që zbërthyen kodin gjenetik të virusit, i cili fillimisht u shfaq si një virus gripi shpendësh. Por ata nuk janë të sigurtë se ku dhe kur ndodhi kjo. Ai thotë se virusi i sotëm i gripit, i quajtur H5N1 po tregon disa ngjashmëri me virusin e vitit 1918: "Viruset H5, veçanërisht ato të kohëve të fundit, ndajnë të njëjtat ndryshime duke sygjeruar se virusi po kërkon të bëjë ndryshime për të kaluar tek njerëzit. Kjo është një situatë shumë shqetësuese për ne", thotë Taubenberger.

Askush nuk e di se sa ndryshime do t’i duhen virusit që ai të kalojë tek njerëzit, kur do të ndodh kjo, dhe më e rëndësishmja, në se do të ndodhë ndonjëherë. "Mund të mos ndodh. Mund të kërkojë shumë ndryshime. Virusi mund të mos jetë në gjendje të shndrohet në virus tek njerëzit", thotë zonja Moscona. Megjithatë, Dr. Anne Moscona e shpenzon ditën duke kërkuar për tipe të reja anti-virale që do të parandalonin apo ngadalësonin përhapjen e gripit të shpendëve tek njerëzit."Kur virusi të bëhet i aftë për t’u transmetuar nga njeriu-tek njeriu, do të jetë e vështirë të frenohet.”

Shkencëtarët po punojnë pa ndërprerje, me shpresë se virusi nuk do të ndryshojë, por po përgatiten edhe për më të keqen.//rd//

XS
SM
MD
LG