Lidhje

Shqiptarë të Amerikës i dorëzojnë Kongresit një peticion për njohjen e pavarësisë së Kosovës


Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane, e kryesuar nga ish ligjvënësi Zhozef Dioguardi, u dorëzoi mbrëmë zyrtareve të lartë të kongresit një peticion ku kërkohet me kembëngulje pavarësia e Kosovës. Ky peticion, nismë e lidhjes qytetare, qarkulloi nëpër Kosove e Ballkan për 2 vjet dhe përmban rreth 1 milonë nënshkrime.

Kongresi amerikan ka tashmë në dorë peticionin. Dokumenti u mor mbrëmë në dorëzim nga anetari i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, Henri Hajd, i cili premtoi se do t'ia dërgojë atë menjëhere Departamentit të Shtetit dhe presidentit Bush në Shtëpinë e Bardhë. Peticioni, një nismë e filluar 2 vjet më parë nga lidhja qytetare shqiptare amerikane, me moton “Pavarësia e Kosovës Tani”, i bën thirrje Shtëpisë së Bardhë të njohë vullnetin e një populli që kërkon sovranitet.

“Me ketë peticion, Lidhja qyetetare shqiptaro amerikane”, tha ligjvenesi Hajd, “ka bërë një punë të shkelqyeshme, dhe kurrë nuk na le të harrojmë se Kosova e meriton të jetë e pavarur. Ju keni perkrahjen time dhe të kolegëve të tjerë si Benjamin Gillman, i cili megjithëse ka dalë në pension, ështe një figurë me ndikim në Kongres e në administrate”, tha kryetari i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, Henri Hajd.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe një numër shqiptaro amerikanësh, veprimtarë e anëtarë të këshillit drejtues të Lidhjes Qytetare, të ardhur nga shumë shtete të Amerikës. Ligjvënësi Hajd i siguroi ata se puna e tyre është një shërbim i madh patriotik në të mirë të kombit të prejardhjes së tyre si dhe një veprim që ndihmon në ruajtjen dhe forcimin e demokracisë amerikane, ku liria e individit, liria e grupeve të pakicave apo organizitave lobiste jane të drejta të shenjta. “Ju siguroj se puna juaj nuk do te shkojë kot. Zoti i bekoftë shqiptarët”, tha ligjvënësi Hajd.

Ndërsa ligjvënësi i njohur nga Kalifornia, Dana Rohrabaker tha se dëshira e popullit të Kosovës për pavarësi është jo me pak e zjarrtë sesa ishte dëshira e amerikanëve të shekullit të 18 për pavarësi nga Britania. Ai tha se këtë e kuptoi drejtpërdrejt gjatë vizitës së kohëve të fundit në Kosovë, ku pati takime me njerëz të moshave, shtresave e kombësive të ndryshme. “Për ta Kosovë e Pavarësi janë bërë tashë sinonim; fjalë të së njëjtit kuptim”, tha ligjvënësi Rohrabacker.

“Peticioni u nënshkrua edhe nga disa qindra serbë, romë e ashkali si dhe nga disa perfaqësues të komuniteit ndërkombëtar në Kosovë”, thotë Sherli Kloyes Dioguardi, këshilltare e lartë për çështje të Ballkanit pranë Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane.

Kryetari i Lidhjes Qytetare, Zhozef Dioguardi thotë se petecioni është vazhdë e punës 20 vjeçare dhe e projekt rezolutave të njëpasnjëshme që kjo shoqatë lobiste shqiptaro amerikane ka paraqitur në Kongres për çëshjet shqiptare në Ballkan, e në veçanti për Kosovën.

Në nismën për nënshkrimin e peticionit u ngazhuan shumë veprimtarë përfshi Faton Bislimin, shqiptaro amerikan që vazhdon studimet në universitetin e Harvardit.

Ndërkohë që procresi i bisedimeve rreth statusit të Kosovës tashmë ka filluar, zoti Bislimi, një nga intelektualët lobistë më të rinj shqiptaro amerikanë, beson se vetem një njohje zyrtare e pavarësisë së Kosovës nga ana e Shteteve te Bashkuara, do t'i jepte fund agonisë së një populli rreth statusit përfundimtar.

XS
SM
MD
LG