Lidhje

Kongresmen Franks: Nuk ka themel më të fortë për lirinë njerëzore se sa liria e fesë


Çështja e trajtimit të pakicave dhe mbrojtjes së trashëgimisë fetare jo-shqiptare në Kosovë janë mes kushteve që komuniteti ndërkombëtar i ka vënë udhëheqjes së Kosovës për të provuar aftësinë e saj të drejtimit të një entetiteti politik modern gjatë periudhave para dhe pas përcaktimit të statusit të saj përfundimtar. Dje në Kongres, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Trent Franks, dëgjoi dëshmi nga klerikë serbë dhe veprimtarë të të drejtave të njeriut, të shqetësur për gjendjen e pakicave dhe objekteve fetare në Kosovë.

Refreni i djeshëm në seancën e dëshmive në Kongresin amerikan ishte se pavarësisht nga rezultati i bisedimeve të tanishme për statusin e Kosovës, është me rëndësi kritike që komuniteti ndërkombëtar të ndjekë me vemendje respektimin e të drejtave të të gjithë popujve që jetojnë në Kosovë dhe mbrojten e trashëgimisë së tyre fetare.

Ligjvënësi Trent Franks tha se ruajtja e kësaj trashëgimie është me rëndësi jo vetëm për Kosovën, por edhe për kulturën perëndimore e vetë qytetërimin.

“Nuk ka themel më të fortë për lirinë njerëzore se sa liria e fesë. Ky është angazhimi im persoanl dhe një angazhim i përbashkët i anëtarëve të Kongresit amerikan”.

Zoti Franks tha se shumë njerëz janë tronditur kur kanë mësuar se megjithë vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë në qershor të vitit 1999, rreth 150 kisha ortodokse serbe dhe objekte të tjera fetare u shkatërruan nga elementët ekstremistë.

At Irinej Dobrijeviç i kishës ortodokse serbe në Berograd, Peshkopi Teodosije i Lipjanit, ish ambasadori amerikan në Vatikan, Thomas Melady, dhe Maureen Greenwood e Amnesty International, folën për gjendjen e pakicave në Kosovë, që sipas tyre nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes, furnizimin e nevojshëm me energji elektrike, shërbim të mjaftueshëm shëndetësor dhe kushte të mira arsimimi dhe punësimi.

Peshkopi i Lipjanit, Teodosije, tha se kisha sërbe dhe pasuesit e saj duan të qendrojnë në Kosovë, por kërkojnë t’u garantohet një hapësirë e sigurtë nga shumica shqiptare dhe udhëheqja e saj që qytetërimi i krishterë që ka ekzistuar në atë rajon të vazhdojë të ekzistojë edhe më tej.

Peshkopi Teodosije u shreh me një farë optimizmi, duke thënë se në mungesë të udhëheqësve të moderuar dhe të efektshëm shqiptarë, ardhja në skenën politike të Kosovës e ish komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku dhe Ramush Haradinja, është një domosdoshmëri e momentit që mund të japë rezultate pozitive, pasi populli i Kosovës ka respket për ta.

Folësit në seancë thanë se prania e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, duke pëfshirë edhe KFOR-in janë të nevojshme edhe pas përcaktimit të statusit të saj, për të garantuar sigurinë, begatinë dhe mbrojtjen e të gjithë njerëzve që banojnë atje si dhe të monumenteve të tyre fetare.

XS
SM
MD
LG