Lidhje

Përkrahësit e Sllobodan Millosheviçit vazhdojnë të bëjnë homazhe


Përkrahësit e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç po vazhdojnë t’i bëjnë homazhe arkivolit me trupin e tij, për të dytën ditë, para se nesër të zhvillohet varrimi në vendlindjen e tij në Pozharevac.

Arkivoli me trupin e Sllobodan Millosheviçit i mbështjellë me flamur është vendosur në një muzeum të periudhës së komunizmit në Beograd. Ndërkohë, zyrtarë të Partisë Socialiste të zotit Millosheviç konfirmuan se e veja e tij, Mira Markoviç, do të qëndrojë në Moskë dhe nuk do të shkojë në Serbi për të marrë pjesë në varrim.

Më parë, Kryetari i Partisë Komuniste të Rusisë, Gennadi Zyuganov, tha sot se zonjës Markoviç nuk i janë dhënë garancitë e nevojshme të sigurisë dhe se ajo nuk do të marrë pjesë në funeralin e të shoqit. Një gjykatë e Serbisë e anulloi urdhër-arrestin për zonjën Markoviç nën akuzat për abuzim pushteti, por autoritetet thanë se do t’i kërkojnë ta dorëzojë pashaportën dhe të paraqitet para një gjykatësi, në se shkon në Beograd.

Po sot, Presidenti i Gjykatës së Hagës për Krime Lufte thotë se rezultatet e analizave që ju bënë trupit të Sllobodan Millosheviçit nuk gjetën gjurmë që të tregojnë se ai ka vdekur i helmuar, por provojnë se ai ka vdekur nga infarkti. Shumë përkrahës të Millosheviçit kishin shprehur shqetësim se ai mund të ishte helmuar.//lk

XS
SM
MD
LG