Lidhje

Anketat: Një pjesë e amerikanëve kanë paragjykime negative ndaj myslimanëve

  • Muhamed Shinaui

Shumë amerikanë shprehin pikëpamje negative për fenë islamike. Një anketë e fundit e opinionit publik tregon se 25 për qind e amerikanëve thonë tani se kanë paragjykime negative ndaj myslimanëve. Pjesa më e madhe e amerikanëve mendojnë se myslimanët janë të prirur të angazhohen në akte dhune:

Një anketë e re e gazetës Washington Post dhe rrjetit ABC arriti në përfundimin se 46 për qind e amerikanëve kanë pikëpamje negative për fenë islame. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 7 për qind të pikëpamjeve negative krahasuar me periudhën menjëherë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Laila Al Qatami e Komisionit Amerikano-Arab kundër Diskriminimit thotë se sjellja e disa myslimanëve, veçanërisht protestat e dhunshme kundër karikaturave të Profetit Muhamet, u bënë shkak për zemërimin që ndjejnë disa amerikanë:

"Kur dhuna dhe plaçkitjet shoqërojnë akte të tilla, nuk i shërben për të mirë imazhit të islamit në botë. Njerëzit i shohin këto akte dhe u forcohen paragjykimet që kanë."

Zonja Al Qatami beson se shumë arabo-amerikanë mendojnë se vendimi i fundit i Kongresit amerikan për të bllokuar marrëveshjen që do t’i lejonte një kompanie të Dubait për të operuar në porte amerikane, ishte e motivuar nga paragjykimet, pasi në Amerikë ka edhe kompani të tjera të huaja që operojnë portet.

Anëtarë të Kongresit e argumentuan veprimin si të motivuar nga interesat e sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, por Laila al Qatami thotë se disa arabo-amerikanë e shohin atë si diskriminim. Komentet publike që kanë bërë kohët e fundit disa drejtues të lartë fetarë shihen po ashtu si acaruese.

I Përndershmi Franklin Graham e ka quajtur fenë islame “një besim fetar të lig” ndërsa Pat Robertson është shprehur se islamizmi është një besim i dhunshëm. Artikujt dhe reportazhet e shtypit mbi dhunën në Irak dhe terrorizmin mund të jenë gjithashtu një faktor kontribues i këtyre ndjenjave negative ndaj fesë islame.

Nihad Awad i Këshillit mbi Marrëdhëniet Amerikano-Islamike thotë se krijimi i stereotipeve të myslimanëve nga media amerikane ka pasur ndikim negativ:

"Mendoj se është e vërtetë që mënyra se si shtypi i ka raportuar këto zhvillime, pra informacioni që ka marrë publiku amerikan për myslimanët dhe fenë islame të çon vetëm në një konkluzion: se feja islame është negative dhe myslimanët janë agresivë."- thotë ai.

Media nuk ka arritur të kapë realitetin e botës myslimane dhe përqëndrohet vetëm në veprimet e disa vetëve. Por Laird Anderson, profesor i gazetarisë në Universitetin Amerikan në Uashington thotë se faji nuk bie vetëm tek media, pasi ka edhe keqkuptime si rrjedhojë e mospërputhjes së kulturave:

" Kurani dhe Profeti Muhamet, siç e kuptoj unë, predikonte paqen, megjithatë çdo gjë tani është përfshirë nga dhuna. Kjo është çorientuese, pasi amerikanët nuk arrijnë ta kuptojnë se si një shoqeri tolerante pranon dhunën dhe terrorizmin ndërkohë që në themelet e saj është toleranca? Pra amerikanët ndjehen të çorientuar në përpjekjet për të kuptuar Kuranin dhe Profetin Muhamet."- thotë ai.

I Përndershmi Clark Lobenstine, Drejtor i Konferencës së Uashingtonit, po punon për të nxitur mirëkuptimin ndërfetar:

"Ne jetojmë në një botë të lidhur nga globalizimi, ne jetojmë në një botë me besime të ndryshme dhe është përgjegjësia jonë që kushdo nga çdo besim të mësojë për besimet e tjera dhe në këtë proces të rrisë mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë dhe të punojmë së bashku për të zgjidhur problemet."- thotë ai.

Ai beson se me durim dhe me rritjen e njohurive për njëri-tjetrin, do të ndryshojnë pikëpamjet negative që disa amerikanë kanë për fenë islamike.//lk

XS
SM
MD
LG