Lidhje

Presidenti Bush: Pas tre vjet lufte, trupat amerikane po bëjnë përparime në Irak

  • Skot Sterns

Presidenti Bush thotë se tre vjet pas fillimit të luftimeve trupat amerikane po bëjnë përparime në Irak. Siç njofton korrespondenti ynë, Scott Stearns, dy të tretat e amerikanëve thonë se nuk janë dakord me politikën e Presidentit Bush për Irakun.

Me rënien e mbështetjes së publikut për luftën, Presidenti Bush thotë se e kupton që amerikanët i shohin me mosbesim zhvillimet në Irak, ndërkohë që shohin imazhe tmerruese të vrasjeve hakamarrëse, shpërthimeve të makinave-bombë dhe të rrëmbimeve.

“Teksa jepen njoftime lidhur me situatën e nderë në pjesë të ndryshme të Irakut, mund të duket e vështirë nganjëherë të kuptohet se si jemi në gjendje të themi se është bërë përparim. Por reagimi i udhëheqësve të Irakut ndaj episodeve të fundit të dhunës është shenjë e qartë ndaj angazhimit të Irakut për demokraci”.- tha Presidenti.

Në fjalimin e tij të përjavshëm radiofonik, Presidenti Bush tha se inkurajohet nga fakti që politikanët irakianë po bëjnë përparime të konsiderueshme drejt krijimit të një qeverie të bashkimit kombëtar. Ai thotë se episodet e fundit të dhunës u kanë dhënë udhëheqësve irakianë ndjesinë e nevojës urgjente për të lënë mënjanë ndryshimet e tyre politike, fetare e sektare. Vetëm atëherë, thotë zoti Bush, ata mund të përballojnë kërcënime terroriste dhe të fitojnë besimin e popullit.

Nesër mbushen tre vjet nga pushtimi i Irakut nën komandën e Shteteve të Bashkuara dhe Presidenti Bush po mban një seri fjalimesh që synojnë të bindin amerikanët se ai ka një strategji për fitore në Irak.

Anketat e fundit të publikut tregojnë se katër në çdo pesë amerikanë dhe 70 përqind e republikanëve, në gjirin e të cilëve bën pjesë edhe Presidenti Bush, besojnë se Iraku do të hyjë në luftë civile.

Presidenti Bush thotë se e kupton se shumë amerikanë po vënë në pikëpyetje nëse ia vlente të ndërmerrej operacioni në Irak. Ai thotë se përmbysja e Saddam Husseinit është një arritje për të cilën amerikanët mund të jenë krenarë, pasi është në interes të botës që ai nuk është në pushtet.

Tre vjet pas fillimit të luftës, demokratët në opozitë thonë se forcat amerikane po luftojnë me një kryengritje që po intensifikohet. Në fjalim e përjavshëm radiofonik të demokratëve, senatorja nga Kalifornia, Diane Feinstein, thotë se është bërë pak përparim në pëmirësimin e arenës politike në Irak, në fushën e sigurimit dhe të rindërtimit të vendit.

“Nuk duhej të ndodhte kështu, por mungesa e rrezikshme e kompetencës nga ana e administratës e ka bërë misionin më të vështirë. Tani që Iraku ndodhet në buzë të luftës civile, është më rëndësishme se kurrë për të vepruar drejt. Udhëheqësit politikë amerikanë që përzgjodhën dhe shrytëzuan si deshën të dhënat e zbulimit para lufte, të cilët nuk bënë plane si ta fitonin paqen, që i dërguan trupat amerikane në betejë pa pajime mbrojtëse, duhet t’i tregojnë tani popullit amerikan se kanë nxjerrë mësime nga gabimet e tyre”. - tha senatorja.

Nëse suksesi në Irak varet vetëm nga ushtria amerikane, thotë Senatorja Feinstein, nuk do të kishte dyshim për rezultatin. Por, thotë ajo, suksesi varet edhe nga udhëheqja e Presidentit Bush dhe gatishmëria e politikanëve irakianë për të bërë kompromis.

Presidenti Bush thotë se tre vjetët e fundit, me ditë të vështira e prapësime, kanë qenë provë për vendosmërinë e Amerikës, por trupat amerikane e kanë ndryshuar qendrimin e tyre për t’iu përshtatur vështirësive në terren.

“Luftime e sakrifica të tjera do të nevojiten për të arritur fitoren dhe tundimi për t’u tërhequr e braktisur angazhimet tona është i fuqishëm. Megjithatë, po të tërhiqemi, nuk arrihet as paqe, as siguri e as lavdi”. - tha Presidenti.

Zoti Bush thotë se trupat amerikane do ta përfundojnë misionin dhe, duke u shkaktuar disfatë terroristëve në Irak, do ta bëjnë Amerikën vend më të sigurtë.//lk

XS
SM
MD
LG