Lidhje

Shtetet e Bashkuara përballë sfidave që paraqet konkurenca globale


Emra të njohur në fushën e teknologjisë në Shtetet e Bashkuara thonë se vendi po humbet avantazhin konkurues përballë vendeve në zhvillim në kontinentin aziatik. Për këtë arsye disa përfaqësues të kësaj fushe po përpiqen të zgjojnë interesin e Uashingtonit për të siguruar mbështetje:

Drejtues të bizneseve të mëdha në Shtetet e Bashkuara thanë para Komisionit të Senatit për Tregtinë, Shkencën dhe Transportin se epërsia e Amerikës si një gjigand teknologjik po shteron. Shifrat fundit tregojnë se bilanci tregtar i Shteteve të Bashkuara në mallrat e teknologjisë së lartë ra nga sufiçiti i lartë prej 33 miliard dollarësh në vitin 1997 në deficit prej 27 miliard dollarësh në vitin 2003.

Norman Augustine, ish drejtues i firmës së aeronautikës Lockheed Martin, thotë se Kina dhe India kanë qenë ndër vendet që kanë përfituar nga kjo: "Kjo është shkaktuar pjesërisht nga pasiviteti ynë në shumë raste, por pjesërisht edhe pasi vende të tjera po forcohen dhe shpesh po na e kalojnë pasi kopjojnë ato që prodhonim ne dikur."

Një ndër këto novacione që kopjohen janë kërkimet shkencore. Senatori republikan John Ensign, nga Nevada është bashkëautor i Ligjit për Novacionin Kombëtar. Ai propozon të dyfishohen fondet për kërkime shkencore dhe të përmirësohet mësimdhënia e matematikës dhe shkencave në shkolla: "Për fat të keq, në lëndët që nxisin novacionin në shekullin e 21-të, në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, Amerika po e humbet gradualisht epërsinë," thotë senatori.

Ja cila është arsyeja: Vitin e kaluar 500 mijë inxhinierë u diplomuan në Kinë, ndërsa 200 mijë në Indi. Kurse në Shtetet e Bashkuara u diplomuan vetëm 70 mijë inxhinierë. "Nëse vazhdon kjo prirje, 90 për qind e të gjithë shkencëtarëve dhe inxhinierëve të botës do të jenë me banim në Azi nga viti 2010," thotë senatori John Ensign.

Megjithë rënien e numrit të diplomantëve në inxhinieri dhe shkenca, prodhimi i përgjithshëm kombëtar në Shtetet e Bashkuara mbetet ndër më të lartit në botë. Deborah Wince-Smith është presidente e Këshillit për Konkurencën, një organizatë që studion prirjet ndërkombëtare të biznesit: "Mesatarisht për çdo punëtor, Amerika ka prodhimtari 5 herë më të lartë se Kina. Ne vazhdojmë të kryesojmë në botë në prodhimin industrial, megjithatë ka shumë sfida reale dhe sistematike, të cilat nëse lihen në harresë, do të minojnë themelet tona si udhëheqës në këtë fushë."

Senatori demokrat Max Baucus nga Montana thotë se Shtetet e Bashkuara janë aktualisht të forta, por megjithatë ka ardhur koha për politika të reja: "Ne vazhdojmë të kryesojmë në krijimtari dhe novacion, ndoshta jo në fusha të tjera. Por të them të drejtën, nuk e di për sa kohë do të mund ta ruajmë këtë epërsi," thotë senator Max Baucus.

Senatori ka në plan të propozojë këtë vit një projekt-ligj që përqëndrohet tek arsimi dhe kujdesi shëndetësor për të ndihmuar Shtetet e Bashkuara të ruajnë standartet e larta të jetesës, megjithë rritjen e konkurencës globale. //ad//

XS
SM
MD
LG