Lidhje

Studim i ri mbi funksionin e trurit menjëherë pas zgjimit nga gjumi


Shumë njerëzve u duhet kohë për t’u dalë gjumi pasi çohen nga shtrati. Një studim i ri tregon se gjatë minutave të para pas zgjimit, aftësia jonë për të marrë vendime nuk është më e mirë se pas konsumimit të një sasie jo të vogël alkoholi.

Nuk është habi që kaq shumë njerëz pijnë kafe në mëngjes për të fituar energji. Një studim i ri nga Universiteti i Kolorados ka zbuluar se dobësia fizike dhe mungesa e ekuilibrit që ndjejmë kur zgjohemi nga gjumi mund të na bëjë më të paaftë se po të mos flinim fare.

Josh Rodgers është student që ka marrë pjesë në këtë studim. Kur ai zgjohet papritur dhe i kërkohet të bëjë një test të thjeshtë matematike, Josh nuk lëviz shpejt dhe nuk mendon qartë. “Është me të vërtetë e vështirë.”

Profesor Kenet Right udhëhoqi studimin i cili është botuar në Gazetën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë. “Ne kemi zbuluar se kur ngrihemi nga gjumi aftësitë tona janë shumë më të kufizuara sesa gjatë orëve që jemi zgjuar.” Profesor Wright ka zbuluar edhe se kur mund të merren notat më të ulëta në provime. “Mungesa më e theksuar e aftësive ndodh menjëherë pas zgjimit gjatë pak minutave të para.”

Shumicën e kohës kjo lloj mungesë ekuilibri e quajtur ndryshe “inerci e gjumit” kalon gjatë 10 minutave të para. Por për ca njerëz mund të zgjasë deri në dy orë. Profesor Right dhe studiues të tjerë testuan një grup pacientësh së pari pasi kishin fjetur gjithë natën për një javë me radhë. Pastaj ata i testuan këta pacientë pasi kishin qendruar 26 orë pa gjumë. Pacientët ishin më mirë kur ishin pa gjumë fare.

Ruth Meyler udhëton shumë dhe thotë se studimi është i saktë. “Kam 36 orë që jam pa gjumë dhe nuk është fare problem.” Ka një arsye për këtë. Profesor Right thotë se pjesa ballore e trurit, si i gjithë trupi nuk do të zgjohet nga gjumi kur bie alarmi. “Kjo është pjesa e trurit që është e lidhur me aftësinë për të menduar qartë dhe për të marrë vendime.”

Ky zbulim është shumë i rëndësishëm për mjekët dhe punonjësit e urgjencës, si dhe personelin ushtarak, pra të gjithë ata njerëz që duhet të marrin vendime të rëndësishme, nganjëherë të lidhura me jetën apo vdekjen, ndërsa kanë ende inerci gjumi. Kjo është gjithashtu diçka që njerëzit që ngasin makinën për në punë duhet ta marrin parasysh. Profesor Right thotë se pjesa më e madhe e aksidenteve ndodhin herët në mëngjes kur njerëzit janë rrugës për në punë. //ad//

XS
SM
MD
LG