Lidhje

Tre vjetori i ndërhyrjes amerikane në Irak


Presidenti Bush tha se dhuna në Irak po vazhdon por po ashtu në këtë vend është bërë përparim, që e bën atë optimist për të ardhmen e Irakut.

Në një fjalim sot në Ohio, me rastin e tre vjetorit të ndërhyrjes ushtarake, Presidenti Bush foli rreth një qyteti ku forcat e koalicionit dhe trupat irakiane kanë luftuar vazhdimisht kundër kryengritësve dhe forcave terroriste.

Presidenti tha se qyteti strategjik i Tal Afarit, ra në duart e terroristëve të Al Kaidës pas rrëzimit të Sadam Huuseinit. Por forcat e koalicionit dhe forcat irakiane tha ai e rimorrën qytetin duke i dëbuar prej andej terroristët dhe duke nxitur zhvillimin në qytet.

Po ashtu ai u bëri thirrje udhëheqësve irakianë të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të formojnë një qeveri uniteti.

Fjalimi, pjesë e një sërë të tillësh, u bë ndërsa anketat e fundit tregojnë se mbështetja për Presidentin dhe luftën ka rënë.

Disa figura të Partisë Demokratike të opozitës si ligjvenësi John Murtha, një kolonel në pension, thonë se Iraku ndodhet tani në luftë civile dhe se trupat amerikane duhet të fillojnë tërheqjen.

Tre vjet pasi trupat amerikane dhe të koalicionit hyjnë në Irak dhe përmbysën Sadam Huseinin ka shënja të një përparimi politik megjithëse dhuna vazhdon. Mbështetja e amerikanëve për luftën po bie, me 57 përqind të të anketuarve që thonë se konflikti nuk ja vlen, duke pasur parasysh koston e tij. Opinioni publik amerikan është i ndarë për luftën, pasi gjithnjë e më shumë amerikanë besojnë se objektivat e presidentit mund të mos arrihen kurrë.

“Jam shumë e bindur se lufta është humbje burimesh, humbje jetësh. E për çfarë?”, thotë një grua.

“Lufta duhet të përfundojë. Ne duhet të tërhiqemi. Nuk e di si do të vazhdojnë, presidenti e ka vënë veten në pozitë të vështirë,” thotë një qytetar.

“Mendoj se vendimi ishte i gabuar. Kemi trazuar folenë e grenzave,” thotë një tjetër.

Por amerikanë të tjerë mbeten të vendosur në besimin e tyre se Shtetet e Bashkuara po bëjnë atë që duhet në Irak.

“Me një goditje ne ishim në gjendje t’u jepnim shansin e lirisë miliona njerëzve që ishin në skllavëri për 3 dekada. Sigurisht do të jetë rrugë e vështirë e me pengesa. Por mendoj se të mirat e një Iraku të lirë dhe shansi i një atmosfere politike në Lindjen e Mesme justifikojnë rrezikun dhe sakrificat që kërkohen.”

Por për kritikët e luftës, janë sakrificat personale të amerikanëve dhe jo atmosfera politike në Lindjen e Mesme që i shqetëson më shumë.

“Janë humbur shumë jetë, thotë një grua, jetë të rinjsh. Do të ishte mirë sikur ai vend të mbijetojë vetë me qeverinë e tij, dhe djemtë tanë të ktheheshin. Dhe në se dikush tjetër dëshiron të shkojë në Irak, ata ndoshta mund t’i zgjidhin problemet.”

"Ndjej dhimbje për ushtarët tanë që janë ende duke luftuar dhe duke dhënë jetën çdo ditë. Presidenti Bush duhet të rivlerësojë situatën se ç’po ndodh në të vërtetë atje. Në se duhet që ushtarët tanë të kthehen, ata duhet të kthehen,” thotë një burrë.

Shumë përkrahës të luftës, si arsyen e vazhdimit të angazhimit në Irak, e vënë theksin tek përparimi politik i bërë në atë vend.

“Ende mendoj se po bëjmë atë që duhet, edhe pse janë bërë disa gabime aty këtu. Nuk mund të luftosh pa bërë gabime. Jo në një vit apo dy por pas 20 vjetësh mendoj se historia do të na gjykojë drejt për atë që po bëjmë sot."

Mbetet për t’u parë nëse historianët do të bien dakort me këtë vlerësim. Por një gjë është e sigurtë, debati publik mbi luftën do të hyjë në histori. //ze

XS
SM
MD
LG