Lidhje

Shtyhet përsëri seanca për krijimin e Këshillit të ri të të Drejtave të Njeriut


Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut e shtyu përsëri seancën për t’u dhënë kohë zyrtarëve që të bien dakort për hollësitë për krijimin e Këshillit të ri të të Drejtave të Njeriut, që do të zëvendësojë Komisionin. Një zëdhënës i Komisionit në Gjenevë, i tha Zërit të Amerikës se zyrtarët po presin një vendim të Këshillit të OKB-së për Çështje Ekonomike dhe Sociale për mënyrën e transferimit të mandatit tek Këshilli, i cili fillon punën më 19 qershor. Javën e kaluar Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me shumicë dërrmuese për ngritjen e Këshillit të ri, megjithë votën kundër të Shteteve të Bashkuara. Washingtoni donte që të kishte garanci më të forta që vendet që shkelin të drejtat e njeriut, të mos kenë mundësi të bëhen anëtare të organizmit të ri.

Komisioni i të Drejtave të Njeriut me qendër në Gjenevë që po kalon ditët e tij të fundit, ishte kritikuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, se kishte lejuar anëtarësimin e Kubës, Zimbabves dhe shkelësve të tjerë të njohur të të drejtave të njeriut.

Këto vende e kishin përdorur anëtarësimin e tyre për të mbrojtur njëri-tjetrin nga ndëshkimet, apo për të bllokuar hetimet. Gjatë negociatave për ta zëvendësuar komisionin, Shtetet e Bashkuara këmbëngulën për një mekanizëm që nuk do t’i lejonte këto vende të bëheshin anëtare të Këshillit të ri.

Mes të tjerash Shtetet e Bashkuara donin që anëtarët e Këshillit të zgjidheshin nga një shumicë prej dy të tretash të Asamblesë së Përgjithshme. Ja si u shpreh ambasadori amerikan, John Bolton.

“Ne mendojmë që çdo vend nën sanksionet e Këshillit të Sigurimit për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, apo mbështetje të terrorizmit, nuk duhet të kualifikohet për të shërbyer në komisionin e të drejtave të njeriut”.

Por megjithë kundërshtimet e Shteteve të Bashkuara , të mërkurën Asambleja e Përgjithshme votoi me shumicë dërrmuese pro krijimit të Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe që anëtarësimi të vendosej nga shumica e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara.

170 vende votuan pro ngritjes së këshillit, katër, mes së cilëve edhe Shtetet e Bashkuara kundër dhe tre abstenuan.

Pavarësisht nga kundërshtimet e Shteteve të Bashkuara, Linda Jamison e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare nuk beson se Këshilli do të dështojë për shkak të mënyrës së votimit.

“Nuk do të thotë që Këshilli është i dështuar që në fillim. Do të thotë që mënyra e negocimit të të drejtave të njeriut do të jetë e ndryshme dhe përsëri në të vërtetë do të ketë të bëjë me qëndrimet që do të marrin Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, disa nga vendet aziatike dhe Këshilli i Sigurimit lidhur me dialogun për shkeljet e të drejtave të njeriut. Do të jenë këto qëndrime që do të përcaktojnë funksioninimin e Këshillit”.

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan shprehu besimin se Këshilli i ri do të jetë në gjendje të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara.

“Unë mendoj se në një proces normal demokratik është mirë të arrish unanimitet, por nëse kjo nuk arrihet dhe shumica dërrmuese vendos diçka, mendoj se duhet të funksionojë. Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara megjithëse votuan kundër Këshillit në formën që ai është tani, do të jenë në gjendje të bashkëpunojnë me këtë Këshill”.

Zoti Annan tha se parashikon që këshilli të jetë më efektiv sesa Komisioni. Sipas rezolutës së miratuar të mërkurën, Këshilli prej 47 anëtarësh i të Drejtave të Njeriut do të zërë vendin e Komisionit aktual në qershor.

XS
SM
MD
LG