Lidhje

Një grup specialistësh nga Kosova ishin në Amerikë për t’u këshilluar me ekspertë amerikanë mbi gripin e shpendëve

  • Ilir Ikonomi

Një grup specialistësh nga Kosova ishin në Shtetet e Bashkuara për t’u këshilluar me ekspertë amerikanë mbi çështje shumë më praktike se sa statusi përfundimtar. Fjala është për gripin e shpendëve, i cili rrezikon t’i shkaktojë dëme të mëdha ekonomisë kosovare. Një program i financuar nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar solli nëntë specialistë dhe biznesmenë kosovarë në Dover të shtetit Delaware dhe kolegu ynë Ilir Ikonomi përgatiti një kronikë në këtë shtet të njohur për industrinë e shpendëve.

Këta specialistë dhe biznesmenë të pularisë nga Kosova erdhën në Kolegjin Teknik të shtetit Delaware me një shqetësim të dukshëm: së shpejti, gripi i shpendëve, i cili ka prekur disa dhjetra vende të botës, me ngrohjen e kohës mund të shfaqet edhe në Kosovë.

Biznesmeni Abdurrahman Konjufca shqetësohet. Ai ka 184 mijë pula për vezë dhe shpreson që përmes leksioneve dhe vizitave në Delaware të ketë kuptuar më mirë se si mund të mbrohet prona që e ka vënë me aq mundim.

Rritja e pulave për vezë dhe për mish është dega kryesore e ekonomisë në Kosovë dhe pas luftës, ky është sektori që është zhvilluar më shpejt se çdo tjetër.

Me përhapjen e gripit të shpendëve në vendet fqinje, paniku po shfaqet edhe në Kosovë. Qysh tani, konsumi i mishit të shpendëve dhe i vezëve ka rënë.

Paniku e ka bërë të vetën. 5-6 muajt e fund konsumi i mishit thuajse ka rënë 10-15 përqind, i vezëve në dya muajt e fundit ka rënë me të madhe," thotë zoti Konjufca.

Shteti Delaware shquhet për teknikat moderne dhe aparaturat e dedektimit të sëmundjeve të shpendëve prandaj specialistët nga Kosova ndodheshin në vendin e duhur. Mirëpo kushtet në Kosovë janë shumë të ndryshme nga ato në Delaware.

"Dëmi do të ishte i madh sepse ne nuk posedojmë thertore," thotë afaristi Agim Sahiti.

Megjithatë, ka shumë masa të thjeshta që mund të merren. Dhe kush mund t’i shpjegojë më mirë këto masa të thjeshta se sa eksperti i njohur i shtetit Delaver Majkëll Skuz?

Të kuptohemi, nuk është thjesht ekspert, por është vetë Sekretari i Bujqësisë i këtij shteti të vogël me një popullsi sa një e treta e asaj të Kosovës.

"Ka shumë e shumë gjëra që mund të mësohen, thotë zoti Skuz, pavarësisht nga gjendja e ekonomisë apo e teknologjisë që ata mund të kenë. Për shembull, gjëra të tilla të thjeshta si vëzhgimet apo testimet, përgatitja e ushqimit të pulave brenda pularisë e shumë të tjera."

Zoti Skuz krenohet me një sukses të tij personal të arritur dy vjet më parë, kur në disa pulari të këtij shteti u shfaq gripi i shpendëve, një formë më e lehtë se sa virusi H5N1.

"Ne e patëm gripin e shpendëve dy vjet më parë dhe mendoj se e zgjidhëm mirë problemin, edhe qeveria është e kënaqur me trajtimin që ne i bëmë sëmundjes. Pra, jemi krenarë me punën që bëmë."

Në zyrën e zotit Skuz mund të shikosh pikturën e një pule – shpendi simbol i shtetit Delaware. Jo më kot pula këtu është simbol. Shteti Delaware prodhon çdo vit 2 mijë pula për banor!

Ndonjëherë, shpjegon sekretari i bujqësisë, dëgjojmë kritika se Amerika është e prirur për t’i ushqyer shpendët në mjedise të mbyllura. Në të vërtetë, thotë ai, kjo na mbron mjaft nga infektimet, siç është rasti i gripit të tanishëm të shpendëve. Më të rrezikuarit janë fshatarët e vegjël.

Ekspertja Carla Stone është e kënaqur që një grup nga Kosova erdhi në këtë universitet ku laboratorët janë të lidhur ngushtë me industrinë.

"Në Delaware, bujqësia, sistemi akademik dhe qeveria janë të lidhura shumë ngushtë me njëra-tjetrën. Është si një karrike me tre këmbë: nëse heq njërën prej tyre, e gjithë industria falimenton," thotë zonja Stone.

Ekspertët nga Kosova thonë se kjo ishte një përvojë e mirë.

Kursi mbaroi dhe grupi shkon të hajë darkë. Në menu, sigurisht që mishi i pulës nuk përjashtohet. //ze

XS
SM
MD
LG