Lidhje

Ilaçi Krestor kundër kolesterinës; Gjeni që përshpejton plakjen


Ilaçi krestor kundër kolesterinës

Rezultatet e një studimi ritheksojnë rëndësinë e efekteve të ilaçeve kundër kolesterinës. Sipas studimit të kryer nga klinika e Klevelandit, ilaçi Krestor, kur merret çdo ditë ndihmon në tkurrjen e pllakëzave të gjakut në arteret e zemrës, por disa kritikë thonë se nuk duhet arritur në përfundimin se kjo tkurrje ndikon në uljen e rasteve te vdekjeve si pasoje e goditjeve në zemër apo në tru.

Xhoel Silvey ishte një nga 350 pjesmarrësit në studim. Ai vuan nga zemra dhe për dy vjet morri çdo ditë një dozë të lartë ilaçi Krestor. Për shumë vetë ky trajtim uli nivelin e kolesterinës dhe tkurri pllakëzat e gjakut në arteret e zemrës. “Ky është një përfitim i madh” thotë Xhoel “duket sikur të jepet shansi të bëhesh edhe një herë i ri”.

Autori i studimit, doktor Stiven Nissen arriti në përfundimin se dhënia e një doze të lartë ilaçi Krestor pakëson kolesterinën e keqe deri në 53 përqind dhe shton kolesterinën e mirë afro 15 përqind . Ilaçi krestor gjithashtu pati efekt edhe në pakësimin e numrit të pllakëzave të gjakut që bllokojnë arteret. Ky pakësim shkoi nga 7 deri 9 përqind.

Doktor Nissen i klinikës së Klevelandit thotë se këto pllakëza fillojnë të formohen në moshën 30 vjeçare dhe mosha mesatare e pacientëve që morrën pjesë në studim ishte 58 vjeç. Pra të arrish të pakësosh numrin e pllakëzave të gjakut në këtë moshë do të thotë ta kthesh gjendjen e artereve në gjendjen kur personi ishte 20 apo 30 vjeç.

Por kjo nuk do të thotë se çdo njeri duhet të fillojë të marri Krestor. Mjekët thonë se ky ilaç ka efekte të rënda anësore, përfshi dëmtimin e veshkave dhe të muskujve. Gjithashtu nuk është e qartë nëse pakësimi i pllakëzave ul rastet e vdekjeve nga sëmundjet e zemrës.

Doktor Lee Green pranë universitetit të Miçiganit thotë se nuk dihet nëse tkurrja e pllakëzave ndikon për të patur më pak goditje në zemër apo në tru.

Por kardiologët thonë se për miliona pacientë që rrezikohen nga këto sëmundje, rezultatet e studimit mbi të mirat e ilaçit Krestor janë shpresëdhënëse.

Gjeni që përshpejton plakjen

Gjatë eksperimenteve me kafshë në laborator, shkencëtarët kanë arritur të kuptojnë se ndryshimi i një gjeni në një grup qelizash të ADN-së përshpjeton procesin e plakjes tek minjtë. Ata thonë se dhe tani hapi tjetër është sesi ta ngadalësojnë këtë proces.

Ky mi në laborator duket i moshuar. Ai nuk dëgjon dhe qimet i kanë rënë, megjithëse është njësoj në moshe me miun tjetër përkrah tij.

Shkencëtari Tomas Prolla pranë universitetit të Viskonsinit thotë se këta minj moshohen shumë shpejt, rreth 3 herë më shpejtë sesa minjtë normalë.

Eksperimentet e kryesuara nga profesor Prolla nxitën përshpejtimin e moshës tek këta minj duke ndryshuar një gjen në grupin e qelizave mitokondriale. Në kushte normale, qelizat mitokondriale veprojnë si burim kryesor i furnizimit të organizmit me energji.

Siç thuhet në studim, botuar në revistën Science, ky ndryshim në gjen i bëri qelizat mitokondriale të paafta për të kontrolluar kodin e ADN-së për ndonjë gabim.

Profesor Prolla thotë se pas ndryshimit të gjenit, mitokondria mund të funksionojë për kopjimin e ADN-së por jo si kontrollues i saj. Kjo sjell si rezultat që qelizat, nga të cilat përbëhen shumë pjesë të organizmit, nga flokët tek kockat e muskujt, të vdesin para kohe.

Shkencëtari Prolla thotë se nga studimi u kuptua se proces i vdekjes së qelizave sjell plakjen para kohe. Ai thotë se zbulim ka shumë rëndësi, pasi tani shkenca mund të ndërhyjë për të ngadalësuar procesin e plakjes. Shkencëtarët thonë se hapi tjetër është për të parë nëse ekziston ndonjë mënyrë për të ngadalësuar procesin e plakes së shpejtë të këtyre minjëve.

XS
SM
MD
LG