Lidhje

Identifikohet rasti i dytë i gripit të shpendëve në Shqipëri

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri është identifikuar rasti i dytë i gripit të shpendëve. Virusi H5N1 është zbuluar në një pulë të ngordhur në fashtin Pezë, vetëm pak kilometra në perëndim të kryeqytetit. Përgjigja e analizave të mbërritura sot nga laboratori i Londrës, konfirmuan dyshimet e autoriteteve shqiptare. Këto të fundit kanë siguruar se nuk ka asnjë rrezik në njerëz, pasi analizat e bëra në 15 banorë të fshatit kanë rezultuar negative.

Saktësisht, dy javë pas rastit të parë të zbuluar në Çukë konfirmohet edhe i dyti në Shqipëri. Këtë herë, gripi i shpendëve është shfaqur në dyert e kryeqytetit, në fshatin Pezë, pak më shumë se 10 kilometra në perëndim të Tiranës. Virusi H5N1 është identifikuar në një pulë. Dyshimet e para kishin lindur që pas analizave të zhvilluara në Tiranë, në laboratoërt e Instituit të Veterinarisë,. Nga 15 pula të gjetura në ngordhura në kët fshat, në njërën prej tyre specialistët shqiptarë kishin identifikuar praninë e grupit H5.

Kampionet janë dërguar menjëherë në Londër për të konfirmuar nëse bëhej fjalë për llojin e gripit të frikshëm që është përhapur tashmë në shumë vende të Evropës. Përgjigja përfundimtare ka mbërritur në Tiranë rreth orës 15.30 në Institutin e Kërkimeve Veterinare. Këtë e konfirmoi për Zërin e Amerikës drejtori Dashamir Xhaxhiu.

Ai shpjegoi se duke nisur që sot pasdite, do të merren të gjitha masat që parashikohen në raste të tillaë. Aktualisht fshati Pezë dhe gjithë zona në një rreze prej 3 kilometra është vendosur në karantinë që prej një jave. Ndërsa pas konfirmimit të sotëm, do të nisë dhe eliminimi i të gjithë shpendëve në këtë zonë. Ndërkohë që masa të tjera sanitare do të merren në një sipërfaqe më të shtrirë në një zonë me një rreze prej 10 kilometrash, që prakitishit do të thotë se përfshin edhe periferinë e Tiranës.

Autoritetet megjithatë kanë saktësuar se nuk ka rreziqe për njerëzit. Prej disa ditësh janë bërë analizat edhe ndaj disa banorëve të fshatit, të cilët kanë rezultuar të paprekur. Ndërkohë po sot, në një rrugë rreth 20 kilometra larg Tiranës, në një rrugë që lidh Vorën me fushë Krujën janë gjetur disa dhjetra pula të ngordhura të hedhura në një kanal. Mendohet që ato të jenë braktisur nga stabilimente të rritjes së pulave, por deri më tani nuk ka asnjë detaj rreth këtij fakti të vecantë.

Rasti I parë i gripit të shpendëve u verifikua më 8 mars, në fshatin Çukë të Sarandës, në jug të vendit. Edhe aty ai u identifikua në një pulë të një shtëpie të fshatit. Mbi 2 mijë shpendë të ndryshëm shtëpiakë u eleminuan si pasojë e masave të rrepta të parashikuara nga normat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në raste të tilla.//lk

XS
SM
MD
LG