Lidhje

Shqipëri: Ekzistojnë mundësitë që problemet e lindura me kompaninë General Electric të zgjidhen në mirëkuptim mes palëve


Në Shqipëri Ministri i Transporteve, Lulëzim Basha, tha sot se ekzistojnë mundësitë që problemet e lindura me kompaninë General Electric, pas anullimit të kontratës për realizimin e projektit të hekurudhës Tiranë Durrës, do të zgjidhen në mirëkuptim mes palëve. Deklarata e tij vjen pas njoftimit se shumëkombshja amerikane i kishte dërguar një letër qeverisë shqiptare ku kërkonte që si këmbim ajo të përfshihej në një tjetër projekt ose përndryshe do të hidhte ne gjyq qeverinë shqiptare.

Ministri i Transporteve Basha evitoi të jepte hollësi rreth kërkesave që Kompania General Electric i ka paraqitur qeverisë shqiptare tashmë kur është bërë e qartë se projekti i modernizimit të hekurudhës që do të lidhte Tiranën me Durrësin dhe aeroportin e Rinasit është fshirë plotësisht si mundësi. Kompania ka dërguar disa ditë më parë një letër ku sipas burimeve, mësohet se ka propozuar që në këmbim të anullimit të kontratës së mëparshme qeveria t'i ofrojë një tjetër projekt, përndryshe ka paralajmëruar se do ta çojë çështjen në gjyq.

Ministri Basha tha sot se përmbajtja e letrës nuk është ekzaktësisht kjo. Ai shpjegoi se me kompaninë ka një komunikim të vazhdueshëm, i cili sipas tij është i karakterit teknik. Konfliktin lidhur me anullimin e projektit të hekurudhës ministri e cilësoi si një procedurë normale mes dy palëve që kanë patur një marrëdhënie kontraktuale të mëparshme, por, shtoi ai ekzistojnë të gjitha mundësitë që kjo çështje të zgjidhet në mirëkuptim mes palëve dhe në favor të planeve afatgjata të zhvillimit të Shqipërisë ku General Electric mund të luajë një rol të rëndësishëm.

Në të vërtetë në letrën e 19 dhjetorit të kaluar ku ministri Basha dhe ai i Finacave Bode dhe Ekonomisë Ruli komunkonin tërheqjen e qeverisë nga projekti i firmosur nga qeveria e mëparshme e ish kryeministrit Fatos Nano, shkruanin ndër të tjera dhe se do të mirëpritej dhe inkurajohej çdo nismë e General Electric për pjesmarrje në projekte të tjera parësore”. Këtë në fakt e rikonfirmoi edhe sot Ministri Basha sipas të cilit mundësitë e bashkëpunimit janë të mëdha si në fushën e infrastrukturës së transporteve ashtu edhe të energjisë.

Ajo që nuk është e qartë mbetet fakti se çfarë lloj bashkëpunimi do të ofrojë qeveria shqiptare dhe a do të jetë kjo ajo ç'ka kërkon apo pret General Electrik në këmbim të ndërprerjes së njëanshme të një marrëdhënieje kontraktore.

Projekti i modernizimit të hekurudhës, i cili do të realizohej me fonde të qeverisë shqiptare, falë një kredie prej 75 milion euro me terma tregtare, u kundërshtua që në fillim dhe me forcë nga Banka Botërore e cila e konsideronte të paleverdisshëm nga pikëpamja ekonomike. Po ashtu dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian e quanin një luks të tepërt për gjendjen në të cilën ndodhet infrastruktura shqiptare. Ndërsa përfaqësuesit diplomatik të Shteteve të Bashkuara këtu në Tiranë e kanë mbështetur që në hapat e parë projektin dhe janë shprehur të zhgënjyer për anullimin e tij të mëpasshëm.

XS
SM
MD
LG