Lidhje

SHBA: Zyrtarë të nivelit federal, shtetëror dhe lokal, kompani, shkolla dhe individë po përgatiten për mundësinë e shfaqjes së virusit të gripit të shpendëve

  • Mohamed Elshinavi

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se pas pesë viktimave të reja që shkaktoi gripi i shpendëve në Azerbajxhan, numri i të vdekurve të infektuar me virusin H5N1 i ka kaluar 100 vetët. Ekspertët thonë se është thjesht çështje kohe para se virusi të shfaqet në Shtetet e Bashkuara.

Kongresi amerikan ka caktuar 3 presje 3 miliard dollarë këtë vit për të mbrojtur amerikanët nga gripi i shpendëve. Gjysma e kësaj shume është për vaksina, duke filluar me vaksinën që lufton variantin vietnamez të gripit të shpendëve. Sekretari amerikan i Shëndetësisë Michael Leavit shprehet me optimizëm të rezervuar.

"Askush në botë nuk është i përgatitur si duhet për një epidemi globale. Ne aktualisht jemi më të përgatitur se më parë dhe në të ardhmen do të jemi më të përgatitur se aktualisht. Por ky është një proces i vazhdueshëm."

Sekretari autorizoi fillimin e punës për një vaksinë të re që do të luftonte një variant tjetër të gripit të shpendëve.

Dr. William Schaffner i Departamentit të Mjekësisë në Universitetin Vanderbilt thotë se nëse bie ndonjëri prej këtyre varianteve, Amerikës do t’i duhet të marrë një numër masash.

"Njerëzit do të mbyllen në shtëpi, nuk do të shkojë njeri në koncerte. Në disa zona do të mbyllen edhe shkollat."

Disa mësues po përgatiten të japin mësim përmes internetit.

"Mësuesve u është caktuar si detyrë të përgatisin programe mësimore që do të ndiqen nëse mbyllet shkolla për dy javë deri në dy muaj."

Disa amerikanë po grumbullojnë sasi ilaçesh kundër viruseve, si Tamiflu, por Dr. Anthony Fauci i Institutit Kombëtar të Shëndetit, thotë se kjo masë nuk ka garanci suksesi.

"Nuk e kemi të qartë se si do të ndihmojnë këto ilaçe, nëse do të kenë ose jo ndikim kundër një epidemie botërore."

Një tjetër alternativë janë maskat për të mbuluar gojën dhe hundën.

"Besoj se kjo masë shërben deri diku si parandalim dhe nuk ka efekte anësore."

Këshilla më e mirë për mbrojtje që ofron Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve, dhe ajo që kemi dëgjuar gjithmonë nga prindërit: Lani duart rregullisht dhe me kujdes.

XS
SM
MD
LG