Lidhje

Rajs: Këshilli i Sigurimit duhet të veprojë pa vonesë për çështjen e Iranit


Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolica Rajs tha se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duhet të veprojë pa vonesë për ta detyruar Iranin të ndalojë programin e tij të armëve bërthamore.

Zonja Rajs tha dje se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë dhe e akuzoi Iranin se e ka gënjyer Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për 18 vjet me radhë.

Ajo tha se Teherani mund të ketë një program civil bërthamor por jo aftësi pasurimi dhe përpunimi të uraniumit në teritorin e vet.

Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje dhe Gjermania nuk kanë rënë dakord mbi mënyrën se si ta detyrojnë Iranin të pezullojë programin e pasurimit të uraniumit dhe të zbatojë standardet ndërkombëtare

Rusia dhe Kina e kanë kundërshtuar projekt deklaratën e Këshillit duke argumentuar se ajo mund të çonte në sanksione kundër Iranit. Ato duan që kjo çështje të trajtohet nga Agjencia Ndërkombëtre e Energjisë Atomike.

XS
SM
MD
LG