Lidhje

Kosovë: Shënohet shtatë vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi objektet serbe


Vizitat nëpër kampet e forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja si dhe në familjet e të rënëve në luftën e Kosovës, kanë shënuar përvjetorin e shtatë të fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër objekteve serbe.

Në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999, Aleanca Veri-atlantike filloi fushatën e bombardimeve e cila pasoi dështimin e konferencës së paqes që filloi në Rambouillet dhe u përmbyll në Paris me një marrëveshje në letër që nuk u nënshkrua nga Beogradi me të cilën synohej një zgjidhje paqësore e luftës që kishte shpërthyer në mars të vitit 1998.

Fushata e bombardimeve e cila zgjati 78 ditë, përfundoi me një marrëveshje ndërmjet NATO-s dhe forcave serbe për tërheqjen këtyre të fundit nga Kosova. Më 12 qershor forcat paqeruajtëse hynë në Kosovë duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit me dorë të hekurt të ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç i cili vdiq ditë më parë në Gjykatën e Hagës ku po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Në shtatë vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s institucionet dhe partitë politike të Kosovës i kanë shprehur mirënjohjen e tyre Shteteve të Bashkuara dhe të gjitha vendeve anëtare të NATO-s. Qeveria e Kosovës vlerëson se kjo ishte fushate në mbrojtje të lirisë dhe vlerave të qytetërimit botëror, të cilat ishin vënë në sprovë nga regjimi i Sllobodan Milosheviçit.

Kosova ishte një sprovë shumë e vështirë për bashkësinë ndërkombëtare, të cilin ajo e kaloi me plot sukses duke ju falënderuar bashkimit, kurajës dhe vendosmërisë qe treguan shtetet e NATO-s për ta çuar deri në fund fushatën e cila i dha fund një epoke të errët dhe shënoi fillimin e një epoke të re për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Qeveria e vlerëson lartë edhe ndihmën që ka dhënë NATO-ja në forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në Kosovën e pasluftës dhe e konsideron si shumë të rëndësishme praninë e saj gjatë kohës se bisedimeve por edhe pas përcaktimit të statusit politikë të Kosovës, thuhet në një deklaratë të qeverisë së Kosovës. Edhe partitë politike kanë vlerësuar se 24 marsi ka hyrë në historinë e re të Kosovës si ditë në të cilën bota e qytetëruar e demokratike iu bashkëngjit fuqishëm përpjekjeve shumëvjeçare të popullit të Kosovës për liri.

Duke përkujtuar të gjithë ushtarët e KFOR-it që dhanë jetën në kuadër të misionit paqeruajtës në Kosovë, institucionet dhe partitë politike pohojnë se 24 marsi duhet të shërbejë për të gjithë qytetarët e Kosovës, e në veçanti për përfaqësuesit institucional, si kujtim i përgjegjësisë historike për krijimin e një shoqërie ku sundon rendi dhe ligji dhe ku respektohen vlerat demokratike.

Aktualisht në Kosovë janë 17 mijë e 500 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse dhe autoritetet pohojnë se nuk do të ketë ndryshim të këtij numri të paktën deri në përfundim të procesit të negocimit të statusit politikë të saj. Mbi 100 ushtarë të vendeve të ndryshme kanë humbur jetën në aksidente gjatë misionit të tyre, por asnjëherë gjatë kësaj kohe nuk ka pasur rast që ndonjë ushtar i NATO-s të ketë pësuar nga ndonjë veprim armiqësor në Kosovë. //rd//

XS
SM
MD
LG