Lidhje

Rruga Durrës - Kukës ka nevojë për më shumë vëmendje nga donatorët


Qeveria shqiptare nxiti sot donatorët që të shtojnë dhe mbështesin më fort investimet në infrastrukturën e Shqipërisë dhe rajonit, si një mundësi më e madhe për zhvillimin e biznesit.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në Konferencën e Donatorëve të Transportit se gjendja jo e mirë e rrugëve favorizon varfërinë dhe pengon zhvillimin ekonomik lokal dhe rajonal. Sipas tij, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi kanë hapur kufijtë për shkëmbimet tregtare por infrastruktura po pengon seriozisht integrimin në rajon. "Përparësi madhore - tha zoti Berisha - janë rrugët që lidhin Shqipërinë me vendet e rajonit; ndër këto rruga Durrës - Kukës është një arterie e një rëndësie të madhe ekonomike për Shqipërinë, Kosovën, si dhe për Maqedoninë në një kontekst. Qeveria e Maqedonisë parashikon një lidhje të re me Prishtinën. Kjo rrugë mund të shkojë drejt Shkupit dhe të bëjë portet e Adriatikut të dobishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për fqinjët e saj".

Kryeministri tha gjithashtu se Korridori VIII Lindje - Perëndim, mbetet i një rëndësie të madhe për Shqipërinë, Maqedoninë, Bullgarinë ndaj edhe secili vend nevojitet të ndërmarrë financime dhe kërkojë donacione për secilin segment që kalon nëpër territorin e vet, duke e shndërruar atë në një realitet. Pjesëmarrëesit në Konferencë theksuan se donatorët duhen tërhequr për të përfunduar këtë Korridor, i cili hap hap një treg të madh për Italinë dhe vendet perëndimore, favorizon qarkullimin e mallrave lindje perëndim, fuqizon portet e Shqipërisë, shton energjinë, telekomunikacionin.

Ndërsa duke trajtuar rrugët e brendshme, në konferëncë u theksua si i rëndësishëm rishqyrtimi i aksit qendror të jugut të vendit me fizibilitetin e tij, si dhe vazhdimi i ndërtimit të rrugës Lushnjë - Fier - Vlorë dhe të rrugës që lidh Vlorën me Sarandën. //rd//

XS
SM
MD
LG