Lidhje

SHBA: Shënohen ritme më të larta rekrutimi në ushtri


Aftësia e ushtrisë amerikane për të mbajtur të pandryshuar politikën e një ushtrie vullnetare është vënë në provë nga lufta në Irak. Për të ruajtur një nivel konstant prej 130 mijë trupash të dislokuara në Irak, Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka angazhuar edhe Gardën Kombëtare dhe Forcat Rezerviste. Vitin e kaluar ritmet e rekrutimit për ushtrinë ranë, por këtë vit kanë shënuar përsëri ngritje. Në vazhdim ju njohim me arsyet për këto ndryshime:

Togerja Joanna Pierce, ish pjesëtare e marinës amerikane, tani do të futet në radhët e Gardës: "E ndjej mungesën e shërbimit ushtarak. Dua të vazhdoj t’i shërbej atdheut." Ajo është një ndër 26 mijë ushtarët e rinj që janë regjistruar në radhët e Gardës Kombëtare në gjashtë muajt e fundit.

Garda parashikon me optimizëm se brenda këtij viti do të arrijë objektivin e saj për të rekrutuar 350 mijë trupa. Ky është një zhvillim pozitiv për ushtrinë. Gjatë 2 viteve të fundit, rekrutimi në radhët e ushtrisë kishte rënë nën nivelin mesatar, pjesërisht si rezultat i luftës në Irak. Analistja ushtarake Michele Flournoy e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se koha do të tregojë nëse këto ritme rekrutimi do të vazhdojnë: "Qëndrimet kontradiktore të publikut lidhur me luftën në Irak e kanë bërë rekrutimin më të vështirë, pasi shumë nga faktorët ndikues, siç janë për shembull prindërit, megjithëse mund të mbështesin idenë e futjes në ushtri, po përpiqen t’i bindin fëmijët se tani nuk është momenti i duhur," thotë analistja.

Togeri Frankie Cross vazhdon të përdorë të njëjtën strategji rekrutimi, si kur është duke udhëzuar të rinjtë se si të stërviten, ashtu edhe kur u jep këshilla se si të gjejnë mundësi për studime universitare falas. Ai pohon se lufta ka ndikuar tek rekrutimi, por shton se vazhdon interesimi nga grupet kryesore demografike - të rinjtë që po përpiqen të gjejnë rrugën e jetës përmes arsimit dhe kualifikimit profesional. "Për sa i përket Gardës Kombëtare, përpiqem t’u shpjegoj të rinjve se këtu bëhet fjalë për një strategji për të ardhmen e tyre," thotë togeri.

Havier Uribe, nxënës në shkollë të mesme, thotë se lufta në Irak nuk do të ndikojë në vendimin e tij për t’u futur apo jo në ushtri: "Nëse ka luftë, do të shkoj në luftë. Do të bëj atë që më duhet të bëj," thotë Havieri.

Togeri Cross thotë se ndihma financiare që u jepet ushtarëve ka shërbyer pozitivisht. Rekrutët e rinj mund të marrin një shpërblim prej 20 mijë dollarësh nëse futen në ushtri. Një ushtar i regjistruar mund të marrë 2 mijë dollarë nëse nxit regjistrimin e një ushtari tjetër.

Përveç ndihmave financiare, Michele Flournoy thotë se Presidenti Bush duhet të flasë më me forcë për detyrën që ka çdo amerikan për të shërbyer në një farë mënyrë në këtë periudhë lufte. "Një ndër aspektet që i ka munguar procesit të rekrutimit deri tani është thirrja nga istancat më të larta, nga Presidenti si dhe udhëheqës të tjerë politikë, për të shërbyer. Nuk kemi dëgjuar retorika të ngjashme me atë të Presidentit Kenedi, i cili u bëri thirrje amerikanëve të mos pyesin se çfarë bën atdheu për ta, por se çfarë bëjnë ata për atdheun," thotë analistja Flournoy.

Megjithatë, për momentin nxitja me ndihma financiare dhe kualifikim profesional duket se po jep rezultat. //ad//

XS
SM
MD
LG