Lidhje

SHBA: Kongresi amerikan shqyrton planet për reformimin e politikave të imigracionit


Presidenti Bush po i bën thirrje Kongresit të mos i ndryshojë planet për reformën e imigracionit - çështje që po ngjall debate gjithnjë e më pasionante në vend. Projekt-ligji mbi reformat në imigracion është miratuar tashmë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe senati ka në plan të fillojë debatet mbi këtë ligj të hënën. Korrespondentja jonë, Margaret Besheer, njofton nga Washingtoni se në mbarë vendin janë zhvilluar protesta kundër reformave në imigracion.

Një pjesë e madhe e rreth 11 punëtorëve ilegalë në Shtetet e Bashkuara janë hispanikë dhe ky komunitet ka organizuar disa protesta masive në mbarë vendin javëve të fundit për të shprehur zemërimin mbi ndryshimet e propozuara në politikat e tanishme për imigracionin, përfshirë një masë që do ta konsideronte vepër penale ndihmën për imigrantët e paligjshëm.

Presidenti Bush është për reforma të përgjithshme në fushën e imigracionit. “Amerika është vend imigrantësh dhe vend ku zotëron ligji. Ligjet amerikane mbi imigracionin kanë nevojë të reformohen”, tha ai. Në fjalimin e tij të përjavshëm radiofonik, presidenti tha sot se mendon që reforma në imigracion fillon me rritjen e numrit të rojeve të patrullave kufitare dhe përdorimin e teknologjisë për sigurimin e kufijve. Ai mbështet gjithashtu programin e punësimit të përkohshëm që do të krijonte një rrugë të re për të kombinuar kualifikimin punëtorëve të huaj me nevojat e punëdhënësve në Amerikë për të mbushur ato vende pune që amerikanët nuk i duan. Presidenti Bush thotë se do të mbështeste një plan që u jep mundësi punonjësve të huaj të qendrojnë në Amerikë deri në gjashtë vjet, por është kundër amnistimit të imigrantëve të paligjshëm që ndodhen aktualisht në Shtetet e Bashkuara. “Po të shpallim një amnisti të tillë do të ishte e padrejtë, pasi do t’u jepte imigrantëve të paligjshëm mundësi të thyenin ligjin për të përfituar jashtë radhe, para njerëzve që zbatojnë rregullat dhe ndjekin procedurat e rregullta për shtetësi”. Mbrojtësit e çështjeve të imigrantëve thonë se e meritojnë t’u jepet mundësia për t’u bërë shtetas, sepse janë punëtorë të palodhur dhe se kontribuojnë në ekonominë amerikane. Presidenti Bush e pranoi se debati mbi imigracionin është plot pasione, por tha se Amerika nuk ka përse të zgjedhë ndërmjet një shoqërie krahëhapur e një shoqërie ku mbizotëron ligji. //ad//

XS
SM
MD
LG