Lidhje

Bashkimi Evropian kërkoi lirimin e menjëhershëm të një udhëheqësi të opozitës bjelloruse


Bashkimi Evropian kërkoi lirimin e menjëhershëm të një udhëheqësi të opozitës bjelloruse të ndaluar gjatë protestave të djeshme në Minsk kundër rizgjedhjes së Presidentit të vijës së ashpër Aleksandër Llukashenko.

Në një deklaratë të bërë sot, Bashkimi Evropian shprehej se ishte i tronditur nga dhuna e përdorur nga policia bjelloruse për të shpërndarë protestën e së shtunës.

Gruaja e zotit Kozulin dhe burime të shtypit thanë se ai po mbahet i arrestuar nën akuzat për huliganizëm dhe për pjesmarrje në një marshim drejt një qendre paraburgimi ku ndodheshin disa përfaqësues të opozitës.

Edhe Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania e dënuan dhunën e policisë gjatë marshimit. Veprimtarët e opozitës kanë zhvilluar një numër protestash gjatë javës kundër fitores me shumicë dërrmuese të Presidentit Aleksandër Llukashenko në zgjedhjet e 19 marsit.

Zyrtarët amerikanë dhe evropianë thonë se zgjedhjet ishin jo demokratike dhe kanë bërë thirrje për përsëritjen e tyre.

Një grup simpatizantësh të zotit Llukashenko u mblodhën sot përballë ambasadave amerikane dhe polake në Minsk për të protestuar ndaj asaj që ata e quajnë ndërhyrje të huaj.//ii

XS
SM
MD
LG