Lidhje

OSBE-ja: zgjedhjet në Ukrainë të lira dhe të drejta


Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve të djeshme në Ukrainë, thonë se votimet ishin një provë e konsolidimit të mëtejshëm të arritjeve demokratike të vendit. Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, thotë se gjatë votimit u vunë re pak nga problemet që karakterizuan zgjedhjet e manipuluara presidenciale të vitit 2004.

Misioni i Vëzhguesve Ndërkombëtarë thotë se me zgjedhjet e djeshme, Ukraina dëshmoi angazhimin e saj të fuqishëm për reforma demokratike. Votimet u zhvilluan për parlamentin e vendit, këshillat rajonalë dhe kryetarët e bashkive.

Në deklaratën e saj paraprake, OSBE-ja, i vlerëson zgjedhjet si të lira e të drejta. Ligjvenësi Alcee Hastings, i cili shërbeu si president i misionit të përkohshëm të vëshguesve të OSBE-së në Kiev, thotë se fituesi i vërtetë i zgjedhjeve të djeshme, ishte populli i Ukrainës. “Në përgjithësi të drejtat themelore dhe politike u respektuan. Kjo u dha mundësi zgjedhësve të marrin vendimet e duhura për alternative e paraqitura për votim dhe për të shprehur vullnetin e tyre në mënyrë të lirë.” Zoti Hastings thotë se vëzhguesit arritën në përfundimin që fushata elektorale ishte konkuruese dhe dinamike dhe u mbulua gjerësisht nga shtypi.

Transparenca e votimit, thotë zoti Hastings, u përmirësua më tej nga pjesëmarrja e një numri të madh vëzhguesish, si të pavarur, edhe përfaqësues të partive. Megjithatë, vëzhguesit e OSBE-së thonë se votimet nuk ishin pa të meta.

Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në të njejtën kohë e vështirësoi punën e komisioneve zgjedhore, duke ngadalësuar si votimet, edhe procesin e numërimit. Por ligjvenësi Hastings, shton se zgjedhjet e djeshme në Ukrainë ishin në kontrast të thellë, me ato që ai i cilësoi si, “të ashtuquajturat zgjedhje” të Bjellorusisë fqinje fundjavën e kaluar, që po ashtu u vëzhguan nga OSBE-ja. “Zgjedhjet e Bjellorusisë ishin të parregullta, jo të lira, dhe tani po pasohen nga dhuna e ushtruar nga qeveria dhe arrestimet e qytetarëve protestues.” Zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi u bënë shkas për demonstrata në rrugë nga opozita, e cila thotë se votimet ishin të manipuluara.

Protestat zgjatën më pak se një javë dhe u shpërndanë me forcë nga policia. Qindra anëtarë të opozitës dhe kandidatë u rrahën ose u burgosën. Në Ukrainë ndërkohë numërimi i votave vazhdon dhe rezultatet zyrtare pritet të shpallen nesër. Por bazuar në anketat pas-zgjedhore, pritet fitore e kandidatit pro-rus Viktor Janukoviç dhe e partisë së tij. Në vend të dytë, me diferencë të ngushtë, është blloku politik i ish kryeministres Julia Timoshenko. Dhe në vend të tretë është partia e Presidentit Viktor Jushçenko. Dhe ndërsa asnjë parti nuk pritet të fitojë shumicën, kanë filluar që tani negociatat për formimin e një koalicioni, i cili sipas reformës së re kushtetore, duhet të caktojë kryeministrin e ardhshëm. //rd//

XS
SM
MD
LG