Lidhje

Senati amerikan diskuton çështjen e imigracionit ilegal


Anëtarët e komisionit të senatit amerikan po diskutojnë në lidhje me çështjen e imigracionit ilegal që ka shkaktuar qendrime të ndryshme, ndërkohë që demonstruesit po grumbullohen në disa qytete amerikane në përkrahje të të drejtave të imigrantëve.

Grupe që mbrojnë të drejtat e imigrantëve po zhvillojnë një shërbim lutjesh dhe një tubim në Washington. Disa protestues po demonstrojnë sot në rrugët e Los Anxhelosit pas protestës së qindra-mijëra vetëve të shtunën.

Gjithashtu në Detroit të shtetit Miçigan po zhvillohet një tubim. Komisioni juridik i senatit po shqyrton disa propozime për reforma në fushën e imigracionit. Një projekt-ligj i hartuar me nismën e senatorit republikan, John McCain, dhe senatorit demokrat, Edward Kennedy, parashikon një procedurë në bazë të së cilës rreth 11 milionë imigrantë pa dokumenta, që mendohet se jetojnë në Shtetet e Bashkuara, do të merrnin kartën e qendrimit të përhershëm apo do të bëheshin shtetas amerikanë.

Kryetari i këtij komisioni, Arlen Spekter, pritet të paraqesë një ligj, që përfshin një plan për punonjës nga jashtë. Një ligj i miratuar në dhjetor nga Dhoma e Përfaqësuesve, ku kontrollin e kanë republianët, parashikon ndërtimin e një gardhi në një të tretën e kufirit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Sipas këtij ligji, qendrimi ilegal në Shtetet e Bashkuara konsiderohet shkelje penale, ndërkohë që parashikohen ndëshkime të reja ndaj punëdhënësve që marrin në punë punonjës pa dokumenta.

Presidenti Bush thotë se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një reformë rrënjësore imigracioni që do të forconte kufijtë e vendit, do të përmirësonte masat ligjore dhe do të krijonte një program për punësim të përkohshëm, duke plotësuar ligjërisht nevojat e tregut të punës.

Duke folur në Washington në një ceremoni betimi për shtetas të rinj amerikanë, Presidenti Bush theksoi se nuk do t’i mbështeste propozimet për amnisti për imigrantët që kanë punuar ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Presidenti vlerësoi kontributin e imigrantëve në Amerikën që kur u themeluan Shtetet e Bashkuara dhe tha se shoqëria amerikane duhet të jetë njëkohësisht mikpritëse për imigrantët dhe e mbështetur në ligje. Presidenti Bush foli para një grupi prej 30 vetash që bënë sot betimin si shtetas amerikanë. Ai i vlerësoi ata për ndjekjen e rrugës ligjore për të marrë shtetësinë. Shtetasit e rinj ishin nga 20 vende të ndryshme. //rd//

XS
SM
MD
LG