Lidhje

SHBA: Debati mbi reformimin e imigracionit, objekt polemikash dhe protestash


Shtetet e Bashkuara, një vend emigrantësh gjenden tani në mes të një debati për imigracionin e paligjshëm. Sipas statistikave zyrtare, në Shtetet e Bashkuara ka 8 deri në 10 milionë imigrantë të paligjshëm dhe gjysmë milioni të tjerë kalojnën kufirin çdo vit. Debati për imigracionin bëhet për një sërë propozimesh që nga dhënia e amnistisë deri tek dëbimi i tyre.

Mbi 500 mijë persona protestuan të shtunën në Los Angeles duke kërkuar që Kongresi të heqë dorë nga masat e miratuara në Dhomën e Përfaqësuesve që do të shtonte një gardh 1 mijë e 100 kilometra përgjatë kufirit prej 3 mijë e 200 kilometrash të Amerikës me Meksikën dhe t’i konsiderojnë kriminelë imigrantët e paligjshëm dhe organizatat që i ndihmojnë ato. Demonstrata u mbajtën edhe në qytete të tjera të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Dallasin, Feniksin, Miluokin dhe Kolumbusin e Ohajos.

Një nga protestueset, Mariana, është një imigrante e paligjshme që ka ardhur nga Meksika para 15 vjetësh.

“Unë kam jetuar këtu pjesën më të madhe të jetës. Fëmijët e mi kanë lindur këtu”, - thotë ajo.

Mariana do të konsiderohej kriminele, nëse projekt-ligji i Dhomës së Përfaqësuesve miratohej. Propozimi i Presidentit Bush është më i butë. Sipas tij, duhen marrë masa për sigurimin e kufirit, të bllokohen rrjetet për falsifikimin e dokumentave, si edhe trafikantët e qenieve njerëzore. Ai gjithashtu ka propozuar krijimin e një programi për punësim sezonal, por pa garanci për qëndrim të përhershëm, ose shtetësi.

“Ky program do të ishte një rrugë ligjore ku nevojat punëtorëve të huaj dhe punëdhënësve amerikanë do të përputheshin, për punë që nuk duan t’i bëjnë amerikanët. Punëtorët duhet të jenë në gjendje të regjistrohen për status të ligjshëm përkohësisht”- thotë Presidenti.

Vetë partia republikane e presidentit është e ndarë për çështjen e imigracionit mes atyre që mendojnë për interesat e biznesit që duan krah pune me çmim të lirë dhe atyre që thonë se imigracioni i paligjshëm është një barrë e rëndë për ekonominë, shkollat, sistemin shëndetësor dhe kulturën amerikane. Ligjvënësi republikan nga Kolorado Tom Tancredo thotë se imigrantët e paligjshëm shkelin ligjet.

“Ata kanë kryer krimin e ardhjes në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme. Ndëshkimi që ata duhet të marrin sipas legjislacionit aktual është deportimi”.- thotë ai.

Por Mariana thotë se dëbimi do ta shkatërronte familjen e saj.

“Gjëja më e rëndësishme është që t’i mbajmë familjet të bashkuara”,- thotë ajo.

Përkrahësit e reformës në imigracion protestuan dje para Kongresit amerikan ku Senati po shqyrton alternativa më të buta për banorët e paligjshëm, si për shembull amnistia. Megjithatë Presidenti Bush është kundër amnistisë, duke thënë se do të inkurajonte edhe më shumë imigracionin e paligjshëm.//lk

XS
SM
MD
LG