Lidhje

Studim mbi depresionin; Uji i pijshëm dhe fluori; Kujdesi ritual mjekësor


Studim mbi depresionin

Një studim i ri i financuar nga qeveria amerikane, tregon se personat që vuajnë nga depresioni mund të dalin nga kjo gjendje, madje edhe në rastet kur ilaçet nuk kanë bërë efektin e tyre. Duket se rezultatet janë tepër shpresëdhënëse për njerëzit që ndeshen thuajse çdo ditë me depresionin.

Në studim u përfshinë 4 mijë vetë, që të gjithë të prekur nga depresioni. Si pasojë e sëmundjes ata vuanin nga pagjumësia, anoreksia dhe paaftësia për t’u përqëndruar.

Kasey Thompson, e sëmurë nga depresioni, thotë se njerëzit me këtë sëmundje janë të pashoqërueshëm, çdo gjë u duket e zymtë dhe ndjehen të lodhur për të kryer veprimtaritë e përditëshme.

Në studim, çdo pacient morri ilaçe kundër depresionit dhe 33 përqind e tyre u shëruan. Pas kësaj u shtrua pyetja se si mund të ndihmohen të gjithë ata që vazhdojnë të jenë në gjendje depresive.

Doktor Patrik McGrath, pranë institutit psikiatrik të Nju Jorkut, thotë se përgjigjen e kësaj pyetje e kërkojnë si pacientët ashtu edhe mjekët. Për ata që kanë nevojë për ndihmë, autorët e studimit thonë se ndyshimi i llojit të ilaçit kundër depresionit ndihmoi 25 përqind të pacientëve për të dalë nga gjendja depressive.

Doktor Xhon Rush i universitetit Southuestern të Teksasit thotë se ky rezultat ishte befasues, pasi pavarësit nga lloji i ilaçit të ndryshuar, nga kjo përfituan të gjithë pacientë. Ndërsa kombinimi i dy ilaçeve kundër depresionit u erdhi në ndihmë 36 përqind të pacientëve.

Tani për here të pare, mjekët kanë të dhëna të qarta se trajtimi me këmbëngulje i depresionit jep rezultate positive dhe se gjetja e ilaçit të përshtatshëm anti depresiv për çdo pacient, luan rol të madh në shërimin e tij. Gjithashtu nga studimi doli se pacientëve ndoshta u duhet të marrin ilaçe për një periudhë më të gjatë se sa rekomandohej më parë kur mjekët thonin se ata duhej të prisnin 4 deri në 6 javë për të parë në se ilaçi kundër depresionit po bënte efektin e dëshirueshëm.

Për Kasey Thompsonin u desh durim e këmbëngulje derisa mjekët gjetën një kombinim ilaçesh që dhanë rezultat. Ajo thotë se tani ndjehet plot energji, gëzim e dëshirë për të punuar. Si pasojë e depresionit, Kasey ka afro 3 vjet që nuk shkon në punë.

Uji i pijshëm dhe fluori

Uji i pijshëm përmban një kimikat natyror, Fluor, i cili në sasi të moderuar shton vlerat shëndetsore të ujit dhe kur uji është i varfër me fluor, ekspertët e shtojnë atë artificialisht. Por një studim i kohëve të fundit shtron pyetjen se në çfarë shkalle duhet të jetë përmbajtja e fluorit, që uji të quhet të shëndetshëm.

Dihet se një sasi e caktuar fluori në ujin e pijshëm është mirë për shëndetin. Prej kohësh është thenë se fluori forcon kockat dhe ndihmon në mbarëvajtjen e dhëmbëve. Fluori shtohet në depozitat e ujit të pijshëm ku nivelet natyrore të këtij kimikati nuk janë të mjaftueshëm në ujë. Studimi i kryer nga këshilli kombëtar i akademive kërkimore, i hedh një vështrim niveleve të fluorit natyror në ujë.

Agjencia amerikane për mbrojtjen e mjedisit lejon 4 miligram fluor për një litër ujë. Por në studim thuhet se kjo sasi është shumë e madhe dhe e dëmshme. Veçanërisht fëmijët janë në rrezik më të lartë për t’u prekur nga prishja e dhëmbëve, pasi fluori dëmton zmaltin e dhëmbëve.

Profesor Xhon Doull thotë se dëmtimi fillon gjatë periudhës së zhvillimit të dhëmbëve tek fëmija, para daljes së tyre dhe se ky dëmtim bëhet i përherëshëm. Niveli i lartë i fluorit në ujin e pijshëm mund të krijojë frakturë kockash, ndërsa niveli tepër i lartë dëmton veshkat dhe mëlçinë. Furnizuesit me ujë të komuniteteve e masin sasinë e fluorit kur uji del nga çesma, ndërsa sistemet filtruese të ujit kushtojnë nga 300 dollarë deri në 1 mijë dollarë. Eksperti Çarls Pull thotë se sistemet shtëpiake të filtrimit të ujit janë të efektshëm 13 deri 90 përqind, kjo varet nga lloji apo cilësia e pajisjes. Të dhënat më të fundit tregojnë se vetëm një pjesë e vogël e popullates në SHBA, rreth 200 mijë vetë, ndodhet aktualisht në rrezik nga fluori I tepërt në ujë. Por rezultatet e këtij studimi pritet të ringjallin debatet në komunitete të ndryshme.

Kujdesi ritual mjekësor

Ndërkohë, shkencëtarët sjellin një shembull të ri të fuqisë së mendjes në ndihmë të shëndetit. Ata thonë se rituali i kujdesit mjekësor mund të jetë i rëndësishëm për përmirësimin e shëndetit.

Një vizitë tek mjeku mund të mos jetë e parapëlqyeshme, por çdo gjë duke filluar nga një bisedë me mjekun në zyrë deri tek vështrimi i diplomave të tij të varura në mur, mund të ndihmojnë për t’u ndjerë më mirë.

Doktor Ted Kapçuk pranë shkollës mjekësore të Harvardit thotë se mjekesia rituale duhet marrë parasysh kur është fjala për kujdes shëndetësor.

Doktor Kapçuk po kryen prova për të parë në se krijimi i idesë tek pacienti se ai po trajtohet, por në fakt bëhet sikur trajtohet, ose dhënia gjoja e ilaçeve që kanë vetëm formën e ilaçit tablet, por në fakt janë karamele, ose placebo, mund të pakësojnë dhimbjet kronike që pacientët ndjejnë në krah. Doktor Kpaçuk krahasoi rezultatet e një procedure të rreme akupunkture me ato të një tabletë që përmbante vetëm karamel dhe arriti në përfundimin se akupunktura fallso ishte më e efektëshme sesa karamelja në formë tableti ose placebo.

Akupunktura është pjesë e mjekësisë popullore kineze që në disa raste ka treguar efektshmëri në largimin e dhimbjeve dhe trajtimin e sëmundjeve. Siç njoftohet edhe në revistën Diskovery, akupunktura fallso e kryer nga doctor Kapçuk bëhet me gjilpëra që nuk depërtojnë lëkurën. Pacientët e kryejnë këtë ritual dy here në javë dhe të dhënat treguan se dhimbjet në krahun e pacientëve u pakësuan dukshëm.

Doktor Kapçuk thotë se disa rituale janë më të efektëshme sesa të tjerat. Porfesori i shkollës mjekësore pranë universitetit të Harvardit nuk rekomandon që mjekët tani të fillojnë të japin ilaçe placebo e të kryejnë procedura të rreme, por ai shton se mjekët duhet të shqyrtojnë mënyrat jo vetëm se si t’i trajtojnë të sëmurët por edhe se si të sillen me ta.

XS
SM
MD
LG