Lidhje

Rreth një milionë protestues në Francë kundër ligjit të ri të punës


Rreth një milionë demonstrues dolën sot në rrugët e qyteteve të Francës, duke protestuar kundër planit të qeverisë për t’ua lehtësuar kompanive të ndryshme pushimin nga puna të punëtorëve të rinj.

Udhëheqësit e sindikatave punëtore thanë se 700 mijë vetë marshuan sot në Paris, 200 mijë në Marsejë dhe dhjetra mijëra të tjerë në qytete të tjera të vendit.

Pati përleshje sporadike me forcat policore si dhe rreth 100 arrestime, ndërsa mijëra policë ishin vendosur nëpër rrugë për të parandaluar dhunën që karakterizoi protestat javët e shkuara.

Drejtuesit e sindikatave bënë thirrje sot për një grevë të përgjithshme, e cila pati pasojë në transportin publik dhe shkaktoi vonesa të shumta në fluturimin e avionëve. Për shkak të grevës sot në Francë nuk dolën as gazetat.

Kryeministri francez Dominik de Villepin ofroi përsëri që të takohet me udhëheqësit e sindikatave dhe të studentëve. Por ata kanë thënë se nuk do të pranojnë asnjë ofertë, përveç tërheqjes së ligjit. Në shenjën e parë të përçarjes në radhët e qeverisë, Ministri i Brendshëm Nikola Sarkozi propozoi pezullimin e ligjit për t’i hapur rrugën bisedimeve.//lk

XS
SM
MD
LG