Lidhje

KE, thirrje forcave politike në Shqipëri të zhbllokojnë situatën në Parlament

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri, kreu i delegacionit të Komisionit Evropian, ambasadori Luc Salzman u bëri sot thirrje forcave politike që të zhbllokojnë situatën në Parlament dhe t’i kthehen punës. Deklarata e ambasadorit Salzman vjen pas një periudhe të gjatë disa javore krize ku parlamenti thuajse është bllokuar për shkak të përplasjeve mes shumicës dhe opozitës.

Përfaqësuesi i Komisionit Evropian u shpreh sot se i takon shumicës së djathtë të bëjë e para lëvizjen për gjetjen e një zgjidhjeje që do të rikthente bashkëpunimin konsensual mes partive.

Ndërsa pak ditë më parë, presidenti i Komisionit Evropian Zhose Emanuel Barroso, në letrën drejtuar Kryeministrit shqiptar kërkonte ndërtimin e një konsensusi konstruktiv politik për kalendarin e reformave evropiane, përfaqësuesi i këtij komisioni në Tiranë ambasadori Luc Salzman, foli sot më konkretisht duke u ndalur në zhvillimet e fundit politike në vend.

Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian kërkoi zgjidhjen sa më shpejt të situatës së krijuar në Parlament:

"Politikanët duhet të zhbllokojnë situatën në parlament e t'i kthehen punës. Ka një axhendë të reformave të rëndësishme që duhet të realizohen. Ka një tavoline pune ku të gjtha arritjet dhe reformat ekonomike e politike duhet të realizohen prandaj shpresoj që bllokimi atje të përfundojë sa më shpejt", u shpreh ambasadori Salzman.

Ai deklaroi se parlamenti ka nevojë gjithashtu për një opozitë të fortë dhe për këtë ai u shpreh se shpresonte që procesi i reformimit i ndërmarrë nga partia socialiste të përfundojë sa më shpejt. Por sipas tij, megjithatë, duhet të jetë shumica ajo që duhet të ofrojë zgjidhjen dhe të rikthejë konsensusin:

"Qeveria është në mazhorancë dhe si e tillë unë do të prisja që ata të bëjnë lëvizjen e parë për zhbllokimin e situatës në parlament, të gjejë një zgjidhje për tiu rikthyer një bashkëpunimi konsensual mes partive". - tha ai.

Parlamenti shqiptar prej shumë javësh po përjeton një situatë anormale. Komisionet shqyrtojnë ligjet pa praninë e opozitës e cila i ka bojkotuar ato në formë protestash. Ndërsa në seanca është bërë i mundur vetëm kalimi i disa akteve të dorës së dytë dhe vendime për ratifikime. Edhe futja në rendin e ditës së diskutimeve për ndryshimin e rregullores solli vetëm një paqe të përkohshme, pasi zvarritja e këtyre diskutimeve e ka acaruar sërish situatën mes shumicës dhe opozitës së majtë.//lk

XS
SM
MD
LG