Lidhje

Koçi dhe Nishani komentojnë përplasjet e forcave politike në Shqipëri


Zëri i Amerikës: Duket se Shqipëria nuk vuan asnjëherë nga mungesa e krizave të njëpasnjëshme. Rasti i fundit është ai i anëtarit të ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Artan Gjermeni. konflikti vë sot përballë njeri tjetrit Prokurorinë me Ministrinë e Drejtësisë. A pritet të thellohet kriza më tej midis këtyre dy institucioneve?

Bujar Nishani: Unë gjykoj që akuzat për zotin Gjermeni kanë qenë të drejtpërdrejta dhe jo thjesht vetëm publike nga individë të parlamentit por kanë qenë nga institucione të pavarura nga parlamenti dhe institucione jopolitike ndaj gjykoj që gjykimi ndaj tij duhej të ishte një hetim më i thellë dhe më i drejtpërdrejtë. Fakti që hetimi mbyllet një ditë përpara se zoti Gjermeni të konfirmohet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë përbën një dyshim të madh dhe së fundi qëndrimi i Prokurorit të Përgjithshëm dhe i Prokurorisë për të mos lejuar ushtrimin e një kontrolli të ligjshëm mbi mënyrën sesi është hetuar krijon një pikëpyetje të madhe dhe identifikon fatkeqësisht Prokurorinë e Përgjithshme, si një institucion që nuk respekton ligjin.

Zëri i Amerikës: Zoti Koçi, ju si e komentoni ngjarjen e fundit në Shqipëri?

Petro Koçi: Unë gjykoj që ky është një konflikt i paralajmëruar. Prej kohësh Partia Demokratike dhe sidomos qeveria, kryeministri, kanë paralajmëruar një furtunë kundër Prokurorit të Përgjithshëm dhe ky është një rast tjetër që tregon se do të kemi një përplasje midis pushteteve në Shqipëri, midis pushtetit ekzekutiv, pra atij politik dhe pushtetit të pavarur të drejtësisë. Sigurisht që për të mbajtur një qëndrim më eksplicit në studio, do të ishte mirë që të kishte informacione të mëtejshme, por gjithsesi në sfondin politik kemi të bëjmë me një përplasje midis pushteteve dhe unë gjykoj që në të ardhmen nuk do të kemi stabilitet politik në marrëdhëniet midis institucioneve kushtetuese në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Le të ndalemi pak momente tek parlamenti shqiptar që gjatë kohëve të fundit nuk po funksion normalisht për shkak të përplasjeve të mëdha të brendshme. Shkas u bë ndryshimi i rregullores së parlamentit për heqjen e votimit të fshehtë. Përse e kundërshton Partia Demokratike me kaq këmbëngulje votimin e fshehtë dhe a jeni ju i gatshëm që të pranoni pranoni kërkesën e socialistëve për ta rifutur votimin e fshehtë në rregullore?

Bujar Nishani: Së pari duhet sqaruar që nuk është hequr votimi i fshehtë. Bëhet fjalë për të ndryshuar mënyrën sesi vendoset për të votuar brenda nocionit të votimit të fshehtë: për të votuar me kufi me fletë votimi, apo për të votuar në mënyrë elektronike, në mënyrë të fshehtë. Unë gjykoj që gjatë tetë viteve të kaluara kur maxhoranca ishte socialiste, ka qenë e njëjta praktike dhe në rast se ne do të themi që nuk ka votim të fshehtë, atëherë më së pari socialistët duhet të kërkojnë ndjesë për mungesën e votimit të fshehtë gjatë tetë viteve të pushtetit të tyre, por nuk është ky realitet.

Zëri i Amerikës: Megjithatë është fakt që rregullorja e parlamentit ka ndryshuar...

Bujar Nishani: Jo, absolutisht nuk ka ndryshuar rregullorja e parlamentit. Bëhet fjalë për nenin 60 të rregullores pika 3 e të cilit thotë në mënyrë eksplicite që votimi i fshehtë bëhet me kuti votimi, ose me mënyrë elektronike dhe mënyrën sesi do të bëhet votimi e përcakton maxhoranca në parlament. Natyrisht nëse sot maxhoranca është në minorancë dhe nuk mund të marrë vendime, ky është një qëndrim politik dhe e kanë vendosur qytetarët shqiptarë më tre korrik dhe nuk është thjesht në dëshirën e njërës, apo tjetrës palë, por mënyra e votimit elektronik ne këto ditë e pamë që është e njëjta mënyrë votimi që përdoret edhe në Kongresin amerikan dhe kjo pikërisht për shkak se sistemi i votimit që përdoret në parlamentin shqiptar është një dhuratë e sistemit amerikan.

Zëri i Amerikës: Zot Koçi a do t’iu përgjigjeni ju këtyre komenteve?

Petro Koçi: Unë gjykoj që në tetë vitet kur ka qenë maxhorancë Partia Socialiste nuk ka patur asnjëherë ndonjë përplasje për mënyrën e procedimit, për mënyrën e votimit në parlament dhe është e para herë që ndodh kjo gjë kur sidomos në dhjetor të vitit të kaluar Partia Demokratike në mënyrë të njëanshme ndërroi rregullat e lojës në jetën parlamentare duke ndryshuar rregulloren dhe duke bërë që për institucionet kushtetuese të pavarura parlamenti të shprehet jo me votim të fshehtë, por me votim të hapur. Në procesin praktik pastaj gjatë kërkesës për shkarkimin e zonjës Topalli, u përdor votimi elektronik i cili është një votim i kontrollueshëm dhe ne vazhdojmë të përpiqemi, sigurisht duke u përpjekur për t’u mirëkuptuar me Partinë Demokratike që të rivendoset standardi i votës së fshehtë në jetën parlamentare, në procesin zgjedhor, por sidomos në marrëdhëniet e parlamentit me institucionet kushtetuese. Edhe një herë ne po vërtetojmë që për ne është më i rëndësishëm standardi sesa rezultati, ndërsa Partia Demokratike në kurriz të standardeve përpiqet të arrijë rezultate të paracaktuara.

Zëri i Amerikës: Ka analistë në Shqipëri që thonë se, që pas daljes në opozitë, Partia Socialiste po luan rolin e humbësit që mezi e pranon humbjen dhe se strategjinë e saj e ka bazuar tek detyrimi i zgjedhjeve të parakohëshme në vend, kam parasysh komentet e shumta që janë bërë për zgjedhjen e Presidentit vitin e ardhshëm. A rrezikon opozita kështu të akuzohet për rol destruktiv në Parlament dhe të bëhet pengesë për miratimin e reformave të rëndësishme para të cilave vendi ndodhet sot?

Petro Koçi: Nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga Partia Socialiste që të konfirmojë se ne jemi një parti politike që nuk e ka pranuar rezultatin. Në fakt maxhoranca e djeshme përfshirë komponentin e saj kryesor Partinë Socialiste e meritonte kalimin në opozitë. Shqipëria nuk meritonte riardhjen në pushtet të zotit Berisha. Unë gjykoj që sot opozita nuk pretendon për pushtet, është duke u përgatitur për të marrë pushtetin, por përballë një qeverie e cila brenda pak muajsh është kthyer në regjim, sigurisht që ka një mision politik për ta ndërprerë këtë mënyrë qeverisjeje dhe natyrisht që 2007-a është një shans. Megjithatë ne duhet të ishim në favor të reformimit të qeverisjes së sotme, të fytyrës së saj dhe ndoshta kjo do të ishte një mënyrë që 2007-a të kapërcehej, nëpërmjet një mirëkuptimi dhe zgjedhjes së një presidenti konsensual.

Zëri i Amerikës: Zoti Nishani, Partia Demokratike është kritikuar se me qëndrimet e saj që pas ardhjes në pushtet ka kontribuar për bashkimin e aleatëve të majtë dhe se po shkel pavarësinë e institucioneve, rasti më konkret është përplasja e madhe mes qeverisë dhe institucionit të Prokurorisë. Si u përgjigjeni ju këtyre kritikave dhe akuzave?

Bujar Nishani: Natyrisht tezat që përdor ende sot opozita kundër Partisë Demokratike, apo kundër maxhorancës janë ato teza që ata hodhën apo paraqitën edhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 3 korrikut 2005 dhe qytetarët shqiptar natyrisht i peshuan tezat që i paraqiti Partia Demokratike, tezat që paraqiti Partia Socialiste dhe ata votuan pikërisht tezat dhe opsionet që paraqiti Partia Demokratike dhe zoti Berisha. Dhe pikërisht votimi që iu bë Partisë Demokratike ishte një votë edhe për zotin Berisha sepse ishte identifikuar kandidatura e tij për të qenë kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë, ai që vazhdon e drejton edhe sot qeverinë. Natyrisht që fakti që Partia Socialiste nuk po arrin të perceptojë faktin që është në opozitë është realisht një problem. Problem së pari i brendshëm i Partisë Socialiste, por natyrisht problem edhe për opinionin publik, përsa kohë kërkohet vërtet të kemi debat, por edhe të kemi platforma. Sot nga ana e opozitës nuk kemi ende asnjë platformë konkrete, për t’iu kundërvënë atyre platformave, apo qëndrimeve që ka maxhoranca aktuale. Konfliktet që ju përmendët nuk janë konflikte ndërmjet qeverisë dhe institucioneve, por realisht janë qëndrime të ndryshme të maxhorancës parlamentare, përsa kohë i gjithë legjislacioni është një legjislacion i cili i takon maxhorancës në parlament për t’u marrë në konsideratë dhe për t’u vendosur dhe natyrisht disa refleksioneve politike të opozitës. Nuk ka asnjë rast konkret. Unë do të dëshiroja që t’i referoheshim, nëse do të kishte raste konkrete kur është goditur një institucion në mënyrë të jashtëligjshme, por fakti që kjo maxhorancë ka ardhur me një qëllim dhe objektiv të caktuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar kërkon një reformë të madhe në administratë dhe veçanërisht në organet e drejtësisë, duke përfshirë kryesisht Prokurorinë. Përsa kohë këto institucione nuk do të paraqesin vullnetin e tyre profesional me atë çka kërkojnë qytetarët shqiptarë me atë çka sot ka vullnet politik kjo maxhorancë natyrisht që gjërat duhen parë më mirë.

Zëri i Amerikës: Zoti Koçi, kohët e fundit ka patur një sërë komentesh të dalë brenda PS-së për kryetarin, për udhëheqjen e Partisë Socialiste. Madje shtypi ka filluar të spekullojë edhe rifutjen aktive në politikë të zotit Nano. Si është gjendja me udhëheqjen e partisë suaj? A mendon ju se zoti Rama do të vazhdojë në krye të partisë?

Petro Koçi: Natyrisht që ndryshe nga Partia Demokratike e cila është në një fazë e cila akumulon të gjithë problematikën e saj që nga viti 1991 deri tani, në Partinë Socialiste kemi të bëjmë me tranzicionin nga Kongresi i fundit zgjedhor deri në Kongresin e rregullt zgjedhor që është në 2007-ën dhe natyrisht kjo është një periudhë në dispozicion për të ndërmarrë reforma të mëtejshme për të ndryshuar filozofinë dhe mentalitetin e Partisë Socialiste, për ta kthyer atë në një forcë politike që sfidon më mirë situatën që vjen në gjysmën e dytë të viteve 2000, unë nuk mendoj që gjërat zgjidhen, realizohen me rikthime në politikë, por gjithsesi duhet garantuar një frymë më gjithëpërfshirëse për të gjitha vlerat politike të së majtës dhe sidomos të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Mendoj që ne kemi shansin për t’u kthyer në një forcë politike e cila lufton më me efikasitet korrupsionin dhe sidomos këtë sjellje politike prej regjimit të qeverisjes Berisha. //rd//

XS
SM
MD
LG