Lidhje

Zyrtarët në Bahrein thonë se të paktën 48 veta u mbytën nga fundosja e një anije turistike


Zyrtarët në Bahrein thonë se të paktën 48 veta u mbytën kur një anije turistike me shumë turistë të huaj në bord u fundos pranë bregdetit të këtij vendi të vogël të rajonit të Gjirit Persik.

Komandanti i Rojes Bregdetare të Bahreinit thotë se forcat e tij kanë shpëtuar të paktën 63 veta. Organizuesit e këtij udhëtimi detar thonë se rreth 130 veta ishin në bordin e anijes, kur ajo filloi lundrimin dje për një shëtitje në mbrëmje.

Duket se anija u fundos më pak se 5 kilometra larg bregdetit. Ministri i Informimit i Bahreinit, Muhamed Abdul-Gafar, tha se nuk ka të ngjarë që fundosja të ketë qenë rezultat i ndonjë sulmi terrorist.

Ai tha se mes turistëve të huaj në bordin e anijes fatkeqe ishin britanikë, filipinas, egjiptianë dhe afrikanojugorë. Zhytës amerikanë morën pjesë në përpjekjet e shpëtimit së bashku me forcat e Rojës Bregdetare të Bahreinit.

Në Bahrein është baza e flotës së pestë detare të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG