Lidhje

Realiteti i imigracionit në Shtetet e Bashkuara


Shtetet e Bashkuara janë vend emigrantësh. Në të gjithë historinë e tyre, në Shtetet e Bashkuara ka patur edhe shumë njerëz që kanë qenë kundër imigracionit të shqetësuar se të sapoardhurit bëjnë që të ulen pagat edhe për të tjerët ose kthehen në kërcënim për kulturën amerikane. Aktualisht, Kongresi po debaton mbi mënyrat për të ndalur një valë imigrantësh të paligjshëm hispanikë që po vërshojnë nga kufiri jugor i vendit.

"Me jep gjithë ata të drobitur, të varfër dhe të shtypur që dëshirojnë të marrin frymë lirisht”. Këto fjalë të shkruara në statujën e Lirisë mund të interpretohen si premtimi për një jetë më të mirë në Amerikë.

Shumë njerëz të varfër nga Amerika Latine vijnë në Shtetet e Bashkuara të paftuar në kërkim të atij premtimi. Sipas shifrave të qeverisë amerikane, aktualisht në Amerikë ndodhen rreth 11 milion imigrantë të paligjshëm dhe çdo vit në vend hyjnë gjysmë milioni të tjerë. Disa prej tyre jetojnë tani në Distriktin Duplin të Karolinës së Veriut, rreth 2 e 400 kilometra nga kufiri meksikan.

Gjatë 30 vjetëve të kaluar, popullata hispanike në këtë shtet është shtuar 1 mijë përqind. Disa banorë vendës nuk i kanë shumë për zemër të sapoardhurit. "Për njerëzit që jetojnë këtu prej vitesh dhe që paguajnë taksa, ata janë bërë një barrë.Ata duhet të legalizohen. Ata që janë të paligjshëm të ndëshkohen, të kthehen mbrapsht me autobusë, t’i heqim qafe," thotë një banor.

Pikërisht ndjenja të tilla pasqyron edhe një projektligj i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve për deportimin e imigrantëve të paligjshëm dhe për të ngritur një gardh 1 mijë e 100 kilometra të gjatë në kufirin prej 3 mijë e 200 kilometrash me Meksikën. Aktualisht, vetëm 4 përqind e këtij kufiri është e bllokuar me gardh.

Në Dhomën e Tregtisë amerikan-hispanike në Washington, kryetari i këtij grupi biznesi latinoamerikan, Michael Barrera, thotë se propozimi për gardhin bie ndesh me Statujën e Lirisë: "Ajo që të tremb nuk është thjesht ky mur fizik. Është më tepër muri mendor qe ne po ndërtojmë midis këtyre dy shoqërive. Ky mur mendor intolerance, padurimi dhe injorance. Pikërisht ky mur është më shqetësues për mua se sa muri fizik. Gjithashtu, muri fizik do të kushtojë shumë dhe njerëzit nuk flasin për këtë."

Por politikanët që mbështesin murin dhe masa të tjera të ashpra, thonë se imigracioni i paligjshëm krijon probleme reale dhe që kushtojnë shumë. Ja ç’thotë anëtari republikan i Kongresit, James Sensenbrenner: "Nëse ne nuk e imponojmë ligjin, atëhere gjithnjë e më shumë imigrantë të paligjshëm do të vërshojnë në spitalet tanë, në shkollat tona dhe do t’i zhysin në krizë shërbimet sociale të vendit."

Një tjetër shqetësim është se imigrantët spanjishtfolës do të krijojnë një përçarje kulturore dhe gjuhësore në Amerikë. Një frikë e tillë e përçarjes nuk është pa precedent. Në shekullin e 19, disa amerikanë mendonin se vala e imigrantëve gjermanë do ta hidhte tej anglishten, apo se katolikët irlandezë do t’i qendronin besnikë Papës dhe jo Shteteve të Bashkuara. Michael Barrera thotë se preokupime të tilla kanë qenë pa bazë: "Në fillim erdhën gjermanët, pastaj irlandezët, aziatikët, italianët dhe ne gjithmonë thoshim: ata do të na marrin kontrollin. Po kështu me japonezët dhe kinezët dhe gjërat për të cilat ne trembeshim nuk ndodhën kurrë." Respekti për sundimin e ligjit është një tjetër faktor në debatin e tanishëm për imigracionin.

Kirk Johnson, specialist pranë Fondacionit Heritage në Washington, thotë se imigrantët e paligjshëm dëmtojnë shanset e atyre që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë legale: "Nëse dëshirojmë të ruajmë sundimin e ligjit në Shtetet e Bashkuara, atëhere njerëzit që janë këtu ilegalisht nuk duhet të vazhdojnë të bëjnë gjëra të paligjshme. Ata nuk duhet të qendrojnë këtu ilegalisht, duhet të kthehen në vendin e tyre, të aplikojnë për punësim të përkohshëm dhe të bëhen pjesë e sistemit të ligjshëm dhe legjitim."

Kritikët e politikës së deportimit thonë se është jorealiste të gjesh dhe të dëbosh 11 milion njerëz pa dokumente. Senati po përpiqet të gjejë një zgjidhje kompromisi që do t’u jepte imigrantëve të paligjshëm shansin të qendrojnë në Shtetet e Bashkuara nëse paguajnë një gjobë, mësojnë anglisht dhe kalojnë nëpër kontrollin biografik. Presidenti Bush ka propozuar një program të punësimit të përkohshëm për zgjidhjen e problemit. Ligji përfundimtar do të kërkojë një marrëveshje midis të dyja dhomave të Kongresit. //rd//

XS
SM
MD
LG