Lidhje

Rajs: SHBA ka bërë gabime në Irak, por jo në përhapjen e demokracisë


Protestues kundër luftës ishin të pranishëm për të dytën ditë gjatë vizitës së Sekretares amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs, në qytetin veriperëndimor britanik, Blekbërn. Sekretarja Rajs tha se Shtetet e Bashkuara kanë bërë gabime në Irak, por nuk është gabim përmbysja e Sadam Huseinit apo nxitja e demokracisë. Korrespondentja jonë, Margaret Besheer na dërgoi këto hollësi tjera.

Rreth 20 protestues të zemëruar me pankarta brohoritën parulla kundër luftës jashtë ndërtesës së bashkisë në Blekbërn, kur mbërriti Sekretarja Rajs për t’u takuar me udhëheqës myslimanë të zonës. Por ajo nuk u duk se u shqetësua nga demonstruesit. “Para së gjithash, deri në një farë mase, protestuesit argumentojnë pikëpamjen time që demokracia është i vetmi sistem që krijon mundësi që njerëzve t’u dëgjohet zëri dhe paqësisht”,tha ajo.

Në bashki, Sekretarja Rajs u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara kanë bërë gabime në Irak, por se ky aspekt do të gjykohet nën dritën e synimeve më të mëdha për paqe e demokraci në Lindjen e Mesme. “Sigurisht, po të marrësh vendime, padyshim që bën gabime. Por e rëndësishme është që vendimet e mëdha dhe strategjike të jenë të drejta. Kam besim se vendimi për pëmbysjen e Sadami Huseinit dhe për t’i dhënë popullit irakia n mundësinë për paqe e demokraci ishte i drejtë”.

Një vizitë e planifikuar në xhaminë e qytetit Blekbërn u anulua, pasi udhëheqësit myslimanë shprehën shqetësimin se protestuesit mund të shkaktonin çrregullime të konsiderueshme. Sekretarja Rajs është e ftuar e Sekretarit të Jashtëm Britanik Xhek Stro. Ai e ftoi zonjën Rajs në qytetin e tij, pasi zhvilloi një vizitë vitin e kaluar në shtetin e saj të lindjes, Alabama.

Ndërkohë në Irak përpjekjet për të krijuar një qeveri tre muaj pas zgjedhjeve ngecën përsëri sot. Një politikan shiit me peshë bëri hapur thirrje kryeministrit shiit, Ibrahim al-Xhafari, të tërheqë kandidaturën për një kandat tjetër në këtë post.

Zyrtarë të tjerë të aleancës shiite thanë se ekziston mbështetje në rritje për zgjedhjen e një kandidati tjetër. Politikanë kurdë e suni të Irakut i kanë bërë thirrje aleancës shiite të zëvendësojë zotin al-Xhafari dhe thonë se qeveria e tij nuk ka mundur të zbusë tensionet sektare.

Është njoftuar se edhe Shtetet e Bashkuara kanë nxitur shiitët të zgjedhin një kandidat tjetër. Këto zhvillime politike ndodhën ndërkohë që disa irakianë humbën jetën në incidente në kryeqytet e përreth tij.

Ndërkohë gazetarja amerikane që u mbajt peng dhe u lirua, Xhill Karroll, mbërriti në Gjermani dhe po udhëton drejt Shtetet e Bashkuara. Gazetarja e pavarur 28-vjeçare u rrëmbye më 7 janar në Bagdad, ndërsa përkthyesi i saj u qëllua për vdekje. Shoferi i saj u largua. Ajo u lirua në Bagdad të enjten. //ad//

XS
SM
MD
LG