Lidhje

Bizneset hispanike në Shtetet e Bashkuara


Një raport i ri i Zyrës së Shteteve të Bashkuara për Regjistrimin e Popullsisë tregon se nga viti 1997 deri në vitin 2002, bizneset e zotëruara nga hispanikët janë shtuar me ritme 3 herë më të larta se mesatarja kombëtare. Në vazhdim ju sjellim hollësi të kësaj prirjeje të re në zhvillimin ekonomik të Amerikës:

Bazuar në të dhënat më të fundit, Zyra amerikane për Regjistrimin e Popullsisë njofton se 1 presje 6 milion bizneset e zotëruara nga hispanikët në Shtetet e Bashkuara fituan mbi 220 miliard dollarë nga viti 1997 deri në vitin 2002.

Valerie Strang është statisticiene në këtë Zyrë: "Rezultatet e anketës mbi pronarët e bizneseve të kryer në vitin 2002, tregojnë se nga viti 1997 deri në vitin 2002, firmat me pronarë hispanikë përjetuan një rritje prej 31 për qind, ose 3 herë më të lartë se mesatarja kombëtare e bizneseve."

Qyteti i Los Anxhelosit në Kaliforni me 180 mijë firma të zotëruara nga hispanikët, kryeson në këtë aspekt në vend. Pas tij renditet Miami i Floridës me 160 mijë firma dhe më pas zona e Houstonit në Teksas me 62 mijë firma. Gjatë viteve të fundit është shtuar edhe numri i punonjësve hispanikë të punësuar në Shtetet e Bashkuara: "Deri në vitin 2050 hispanikët në radhët e krahut të punës do të shtohen dhe nga 1 në 10 punëtorë që përfaqësojnë tani, do të arrijnë në 1 ndër katër," thotë statisticjenia Valerie Strang.

Pjesa më e madhe e bizneseve hispanike vazhdojnë të jenë të vogla. Më pak se 2 për qind e tyre nxorën të ardhura vjetore që i kalonin 1 milion dollarët, ndërsa më pak se 2000 firma hispanike punësuan mbi 100 punonjës. Por edhe kompanitë e mëdha po shtohen: "Në rastin e firmave hispanike me mbi 500 punonjës, numri i tyre u rrit në masën 50 për qind, nga 115 firma në 183."

Raporti i Zyrës së Regjistrimit të Popullsisë është provë e rritjes së shpejtë të popullatës hispanike në Shtetet e Bashkuara, e cila nuk është e përqëndruar më vetëm në jugperëndim të vendit dhe në Florida, por po shënon rritje edhe në shtete si Virginia, Maryland, Nevada dhe Rhode Island. //ad//

XS
SM
MD
LG