Lidhje

Kosova: Sfidat ekonomike në negociatat për statusin përfundimtar


Në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës, pritet që zgjidhja e çështjeve ekonomike të jetë mjaft e vështirë. Ndaj objekteve publike që më parë ishin pronë e Jugosllavisë socialiste, ngrenë pretendime jo vetëm Beogradi dhe Prishtina por edhe një numër investitorësh të huaj të cilët kanë investuar në ekonominë e Jugosllavisë gjatë një periudhe 30 vjeçare. Në vazhdim disa nga temat më të ndezura të debatit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në aspektin ekonomik:

Megjithëse ekziston edhe dokumentacioni përkatës mbi pronësitë, si dhe përvoja e republikave të tjera ish-Jugosllave në ndarjen e pronës së federatës jugosllave, zgjidhja e çështjeve ekonomike, theksojnë analistët, do të jetë shumë e vështira. Pretendimet ekonomike janë politizuar dhe kanë marrë përmasat e debatit se kujt i takojnë objektet e prodhimit, prona publike në Kosovë, Beogradit, apo këto prona janë nën administrimin e qeverisë së Kosovës. Këto çështje, thonë analistët, do të zgjidhen me kompromis pasi të ketë marrë zgjidhje statusi politik i Kosovës.

Kosova shkon në bisedimet mbi statusin përfudimtar me një ekonomi të rrënuar, një industri të trashëguar nga Jugosllavia komuniste, aktualisht jashtë funksionimit në pjesën më të madhe, me probleme të theksuara në furnizimin energjetik dhe infrastrukturë të kufizuar. Kosova, paralajmërojnë analistët, nuk mund të ketë një të ardhme të qëndrueshme pa një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

UNMIK-u ka caktuar si përparësi kryesore në fushën ekonomike hapjen e vendeve të reja të punës për të luftuar papunësinë e theksuar. Ndërkohë, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit po mbikqyr procesin e privatizimit në Kosovë, i cili konsiderohet si jetik për të tërhequr investime.

Ky proces është përcjellë me kritika të ashpra nga Beogradi, i cili këmbëngul që të ndërpriten veprimet në këtë drejtim, dhe çdo hap më tutje të vazhdojë me mbikqyrjen dhe miratimin e Serbisë. Dr. Nenad Popoviç, i cili kryeson grupin e ekonomistëve në ekipin serb në negocitatat për status, ishte ditët e fundit në Uashington ku theksoi se procesi i privatizimit po zhvillohet në mënyrë shumë problematike, duke lënë në harresë parimet bazë të pronësisë: "E kemi shqyrtuar përvojën e Evropës Lindore dhe nuk kemi gjetur asnjë proces privatizimi të ngjashëm me atë që po ndiqet në Kosovë. Ky është një proces unik, që do ta cilësoja edhe qesharak. Zakonisht privatizohet kapitali, i cili përfshin si pronat ashtu edhe detyrimet. Në rastin e Kosovës po privatizohen vetëm pasuritë, duke lënë në harresë kreditorët dhe borxhet," thotë zoti Popoviç.

Kosova ka pasuri të shumta nëntokësore dhe një potencial të madh prodhimi në fushën e energjetikës. Miniera e Trepçes, një ndër objektet më të fuqishme të industrisë së rëndë në Kosovë, është në funksionim dhe siç thekson, Ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, ky objekt ka potencialin ta shndërrojë Kosovën në një konkurente të fuqishme në tregun e burimeve minerare.

Nga ana e tij, Beogradi këmbëngul se shumë objekte prodhuese, si Trepça, kanë një sërë detyrimesh financiare ndaj subjekteve ndërkombëtare, të cilat Serbia është e detyruar t’i përballojë megjithëse nuk merr të ardhura nga prodhimi i tyre: "Çdo ditë veçojmë paratë që duhen për të paguar interesin vjetor për borxhin e Kosovës në masën 3 presje 6 milion dollarë, ose më saktë, ne paguajmë çdo ditë një shumë prej 120 mijë dollarësh për interesin e borxhit të Kosovës," thotë kreu i grupit të ekonomistëve në ekipin e Beogradit në negociata.

Ministri i Energjisë dhe Minierave në Kosovë, Ethem Çeku, pohon se ndaj këtij objekti ka pretendime pronësie, por shton se investime të tilla kanë qenë spekulative: "Ka edhe disa probleme të tjera, të ashtu-quajturit kreditorë, të cilët kanë pjesë në Trepçë, për shkak të investimeve që kanë bërë kur ish-Jugosllavia ishte nën embargon e Kombeve të Bashkuara. Mirëpo ato çështje tani për tani janë stopuar."

Si pala shqiptare ashtu edhe ajo serbe shkojnë në bisedime me angazhimin se propozimet e tyre do t’u ofrojnë mirëqënie ekonomike të gjithë banorëve të Kosovës. Por ato mbeten diametralisht të kundërta. Në propozimin e tij, Beogradi parashikon programe të orientuara nga pakicat serbe në Kosovë: "Ekipi ekonomik u ngrit për të përgatitur një strategji ekonomike afat-gjatë për serbët e Kosovës. Ne duam gjithashtu të krijojmë një strategji ekonomike afat-gjatë për gjithë Kosovën, së bashku me palën shqiptare dhe UNMIK-un, pasi krijimi i vendeve të reja të punës është një nevojë shumë e madhe për Kosovën," thotë zoti Popoviç. Strategjia ekonomike e Beogradit: Kosova të mbetet pjesë e Serbisë, pasi vetëm bashkangjitur një tregu të madh si Serbia, Kosova do të mund të konkurojë në tregjet ndërkombëtare dhe të tërheqë investitorë të huaj.

Duket se zgjidhja e çështjeve ekonomike nuk do të jetë një matematikë e thjeshtë numrash dhe dokumentash, por ashtu si shumë aspekte të tjera të jetës në Kosovë është e ngjyrosur dukshëm nga objektivat politike.

Debati në aspektin ekonomik nuk përfundon këtu. Shumë banorë të Kosovës të cilët kanë punuar në sektorin public në kohën e ekzistencës së Jugosllavisë, kërkojnë nga Beogradi pagimin e pensioneve. Ndërkaq, shumë banorë të Kosovës kanë depozita kursimesh dhe investime finaciare në bankat e Serbisë, të cilat nuk kanë qenë në gjendje t’i likuidojnë. Por këto probleme janë më tepër të një natyre teknike dhe do të zgjidhen pasi të marrin udhë problemet më madhore ekonomike. //ad//

XS
SM
MD
LG