Lidhje

Banka Botërore: Kosova ofron mundësi për fillimin e bizneseve të reja


Banka Botërore thotë se strategjia e saj për Kosovën gjatë dy viteve të ardhshme do të përqendrohet te sektori i energjisë dhe i minierave. Përfaqësuesit e Bankës thonë se zhvillimi i këtij sektori do të tërhiqte investitorë të huaj dhe do të krijonte të ardhura për zhvillime në aspekte të tjera.

Kosova ka sasi të mëdha qymyrguri të tipit linjit dhe me cilësi të lartë, pra me pak ndotje, thotë Kanthan Shankar, Përfaqësues i Bankës Botërore në Kosovë, i cili ishte këto ditë në Uashington.Banka miratoi së fundi një grant në mbështetje të kësaj strategjie afatshkurtër:

“Projekti ynë, strategjia e përkohshme për Kosovën, që është miratuar nga bordi i drejtorëve, ka caktuar 19 milion dollarë për këtë vit dhe vitin e ardhshëm”, thotë zoti Shankar.

Por zhvillimi i sektorit të energjisë do të kërkojë ndryshime në suazën ligjore dhe institucionale të Kosovës, që sipas zotit Shankar do të ishte një kërkesë e domosdoshme për tërheqjen e investimeve private.

Ardhja e investimeve të huaja, thotë ai, do të varet nga fakti se kur do të ndodhin këto ndryshime ligjore dhe institucionale. Sektori privat mund të vijë edhe më herët por kjo do të dëmtonte rritjen aftagjatë, sepse në qoftëse nuk ekzistojnë ligje për mjedisin dhe për ndikimet sociale, atëhere investitorët e huaj do të merrnin përsipër rreziqe dhe kështu ata do të rrisnin koston e zhvillimit të këtij burimi energjitik.

“Ne në Bankën Botërore kemi politika mjaft të qarta për çështjet e mjjedisit dhe ato sociale, shpjegon zoti Shankar. 5,5 milion dollarë nga grantet që do të jepen, do të përdoren për të zbutur pasojat mbi mjedisin, sidomos për eliminimin e ndotjes së shkaktuar nga termocentralet.”

Zoti Shankar thotë se do të varet nga sektori qeveritar dhe ai privat se si do të përdoret energjia që do të prodhohet. Por nuk ka dyshim se ajo do të kënaqë të dy këta sektorë: do të plotësojë kërkesat e Kosovës dhe do të krijojë mundësi për të eksportuar një pjesë të saj. Strategjia e tanishme e Bankës Botërore për Kosovën është e përkohshme.

“Sapo të zgjidhet statusi, atëhere ne do të kemi një strategji më afatgjatë, por tani për tani kjo është një strategji e përkohshme, për një vend që ka dalë nga konflikti, sqaron përfaqësuesi i Bankës Botërore.”

Banka Botërore vepron në Kosovë qysh pas mbarimit të konfliktit dhe do të vazhdojë të veprojë atje. Zoti Shankar e pranon se zgjidhja e statusit dhe anëtarësimi në Bankën Botërore do t’i jepte instrumente të reja financiare Kosovës. Por problemet ekonomike të tanishme nuk do të zgjidhen vetvetiu.

“Problemet që ne përpiqemi të zgjidhim do të vazhdojnë. Nga pikpamja jonë, vemendja është tek aspektet ekonomike të Kosovës dhe natyrisht që statusi do të ndihmonte për të zbutur rreziqet politike por problemet ekonomike do të vazhdojnë të mbeten dhe pikërisht ato përpiqemi të zgjidhim ne.”

Sfidat nuk janë të pakta. Banka Botërore e ka bërë të qartë për shembull se korrupsioni është një çështje e rëndësishme që duhet të luftohet me forcë dhe në mënyrë transparente.

“Nëse nuk trajtohet me forcë, kjo do të kishte një ndikim të madh negativ në zhvillimin e Kosovës dhe si ndërkombëtarët ashtu edhe popullata dëshirojnë që për çështjen e zhvillimit e Kosovës të mos bëhen kompromise.”

Por përse një investitor do të ishte i interesuar të investonte në Kosovë? Zoti Shankar ka këtë përgjigje:

“Kosova mund të ofrojë shumë për investitorët e huaj sepse ka një regjim fiskal dhe tregtar mjaft liberal. Ajo ofron mundësi për fillimin e bizneseve të reja.”

Tani Kosova varet kryesisht nga sektori i shërbimeve dhe sipas tij ajo ka nevojë për më shumë ndërmarrje të vogla e të mesme që të angazhohen në sektorin prodhues. Një shans i mirë ky edhe për investitorët e huaj.

XS
SM
MD
LG