Lidhje

Shqipëri: Nesër pritet që Parlamenti të votojë për shkarkimin e Spartak Ngjelës si Kryetar i Komisionit të Ligjit


Në Shqipëri, deputeti Spartak Ngjela deklaroi sot se ai nuk ndryshon asgjë nga qëndrimet e mbajtura deri tani, pavarësisht se ato provokuan dje vendimin e Partisë Demokratike për shkarkimin e tij nga funksionet parlamentare dhe partiake dhe ngrirjen e anëtarësisë. Ai pati dy ditë më parë një debat të nxehtë me kryeministrin Sali Berisha, teksti i së cilës u botua sot në të gjithë shtypin shqiptar. Por zoti Ngjela përsëriti se ai nuk bën kompromis me askënd për parimet kushtetuese. Shkarkimi i zotit Ngjela si Kryetar i Komisionit të Ligjit pritet të kalojë për votim në seancën parlamentare.

Në korridoret e parlamentit shqiptar avokat Ngjela dhe debati i tij i fortë me kryeministrin Sali Berisha ishin sot në qendër të vëmendjes. Vetë deputeti demokrat ende zyrtarisht në funksionin e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, vetëm sa shkeli në zyrën e tij ku ishin shumë pak deputetë të tjerë, anëtarë të komisionit.

Mbledhja e zakonshme e parashikuar për sot nuk u zhvillua, ndërsa avokat Ngjela nuk i hoqi asnjë presje qëndrimeve të mbajtura deri tani. "Në politikë- tha ai, - fitojnë dy gjëra, e vërteta dhe arsyeja." Dhe e vërteta në këtë rast, siç u shpreh ai, qëndronte në anën e tij. "Unë mbroj principet që kam deklaruar botërisht dy herë dje: kushtetuetshmërinë, parlamentarizmin, ekonominë e lirë të tregut dhe zgjedhje të lira. Me këtë nuk bëj komprimis me askënd. E kam vendosur ta kaloj jetën pa bërë kompromis për këto dhe do t'i realizoj. Parlamenti është streha ime. Por, do ta bëjmë parlament perëndimor pa inercitë e vjetra puniste. Partia nuk është bandë, është mbështjellje vullnetare njerëzish. Kush nuk e di, do ta mësojë edhe këtë”, tha zoti Ngjela.

Që prej ditës së djeshme, zoti Ngjela nuk konsiderohet më anëtar i Partisë Demokratike, pasi anëtarësia pas vendimit të djeshëm të kupolës demokrate, i është ngrirë. Një formulë e cila duket se është gjetur më tepër për ta hequr atë automatikisht nga posti i Sekretarit për Marrëdhëniet Publike në parti, post të cilin ai e ka fituar pas votimit në Këshillin Kombëtar.

Ndërkohë, nuk dihet nëse kanë nisur procedurat për shkarkimin nga funskioni të Kryetarit të Komisionit të Ligjeve. Sipas rregullit, grupi parlamentar duhet t’ia paraqesë këtë kërkesë Kryetares së Parlamentit e cila e hedh më pas për votim në sallë: një votim që kryhet me shumicën e thjeshtë, por që rrezikon të risjellë problemet e brendshme të koalicionit të djathtë. Të paktën disa nga aleatët e Partisë Demokratike kanë deklaruar publikisht që sot votën kundër.//lk

XS
SM
MD
LG