Lidhje

Pas dorëheqjes nga Kongresi të ligjvënësit republikan Tom Dilei...


I mbërthyer në një skandal korrupsioni, udhëheqësi dikur i fuqishëm i shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Tom Dilei, njoftoi se nuk do të vëjë përsëri kandidaturën, madje bëri të ditur dorëheqjen e tij nga Kongresi. Në materialin e mëposhtëm thuhet se tërheqja e zotit Dilei vjen në një kohë kur ai përballet me probleme ligjore.

Tom Dilei njihet edhe me emrin "çekiçi", diçka që përshkruan qëndrimin e tij të ashpër në politikë. Si udhëheqës i shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësi nga Teksasi ruajti me efektivitet disiplinën partiake, grumbulloi fonde për kolegët e tij republikanë, si dhe nxiti një rend konservator dite. Por, i ndodhur përballë një akt-padie kriminale nën akuzat për shkelje etike dhe mundësisë për të humbur vendin në kongres në zgjedhjet e nëntorit, zoti Dilei vendosi të japë dorëheqjen, duke thënë se refuzon t’u japë demokratëve liberalë mundësinë, siç u shpreh ai, që te marrin vendin në kongres nëpërmjet një fushate negative personale.

“Votuesit e distriktit të 22-të në Texas meritojnë një fushatë rreth çështjeve të rëndësishme kombëtare, për të cilat ata shqetësohen dhe që ndikojnë tek jeta e tyre e përditshme dhe jo një fushatë të shndërruar në një referendum për mua.”- tha ai.

Shtatorin e kaluar, Prokurori i Texasit, Roni Erli ngriti akuza kundër zotit Dilei, duke thënë se anëtari i kongresit kishte gisht në një konspiracion për pastrim parash në emër të disa republikanëve në atë shtet.

“Akt-padia e akuzon zoti Dilei për konspiracion me kompaninë Ellis dhe Koliandro në shkelje të kodit zgjedhor të Teksasit, duke u dhënë kandidatëve për në parlamentin e Teksasit para nga korporatat.”- tha ai.

Kjo akt-padi e detyroi zotin Dilei të jepte dorëheqjen nga pozita e udhëheqësit të shumicës në Dhomën e Përfaqësusve. Përveç kësaj, shenja të korrupsionit filluan të vihen re në zyrën e tij dhe qarqet përreth saj.

Të premten e kaluar, zëvëndës-shefi i personelit të zyrës së tij pranoi fajësinë nën akuzat për konspiracion, shmangie taksash dhe manipulim poste në lidhje me përpjekjet për të ndikuar tek anëtarë të kongresit.

Nëntorin e kaluar, Sekretari i Shtypit i zotit Dilei pranoi se kishte marrë rryshfete. Për ligjvënësin e Teksasit dhe ndihmësit e zyrës së tij dolën lidhje me lobistin Xhek Abramof, i cili pranoi akuzat për konspiracion, shmangie taksash dhe manipulime në një skandal korrupsioni në Kongresin Amerikan.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Hustonit, Rikard Murrei, thotë se ndaj zotit Dilei po shtohej presioni për të vepruar.

“Kur një punonjës me përvojë të gjatë pranon të ketë marrë rryshfete dhe ndaj anëtarëve të tjerë të personelit bëhen hetime, pasojat janë të rënda. Dukej sikur kjo gjendje nuk do të merrte fund kurrë”- tha profesori.

Ligjvënësi Dilei thotë se akuzat kundër tij nuk janë serioze dhe se Partia Demokrate po e sulmon atë për qëllime politike. Ai i telefonoi presidentit Bush për ta informuar rreth dorëheqjes së tij. Zoti Bush shprehu keqardhje për zotin Dilei dhe i uroi atij çdo të mirë. Zoti Dilei do të largohet nga Kongresi Amerikan deri në muajin qershor. Në të ardhmen, zoti Dilei thotë se ka në plan të jetojë në shtetin e Virxhinias dhe të punojë privatisht në emër të grupeve konservatore.//lk

XS
SM
MD
LG