Lidhje

Irak: 10 vetë humbin jetën nga një sulm me makinë bombë pranë një xhamie shiite


Në Irak, një sulm me makinë bombë la të vrarë të paktën 10 vetë pranë një xhamie shiite në qytetin Naxhaf në jug të vendit.

Bomba shpërtheu pranë varrit të Imamit Aliut, dhëndrri i Profetit Muhamed, një prej vendeve më të shenjta të botës për besimtarët myslimanë të sektit shiit. Të paktën 30 vetë u plagosën në këtë shpërthim.

Departamenti amerikan i Shtetit e dënoi sulmin, duke i quajtur personat përgjegjës armiq të të gjitha besimeve dhe të mbarë njerëzimit.

Po sot, një tjetër sulm me bombë la të vrarë një polic në Bagdad dhe persona të armatosur vranë 5 persona në jug të kryeqytetit.

Më parë, ushtria amerikane njoftoi për kapjen e një ish-zyrtari të lartë irakian të zbulimit, të dyshuar për lidhje të ngushta me Al-Kaidën, përgjegjës për rrëmbimin vitin e kaluar të gazetares italiane Guiliana Sgrena, që më vonë u lirua.

I arrestuari, i njohur si Abu Ayman, është ish-zyrtar i lartë irakian i zbulimit dhe ai dyshohet se ka patur lidhje të ngushta me udhëheqësin e Al-Kaidës në Irak, Abu Musab al-Zarqawi.

XS
SM
MD
LG