Lidhje

Sekretarja Rajs i bën thirrje Kongresit që të miratojë një marrëveshje për Indinë


Sekretarja amerikane e shtetit Kondoliza Rajs i bëri thirrje Kongresit amerikan që të miratojë një marrëveshje që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë Indinë me programet e saj të energjisë bërthamore për qëllime civile. Duke dëshmuar sot para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Sekretarja Rice tha sot se bashkëpunimi me Indinë në fushën bërthamore për qëllime civile nuk do të çonte në një garë armësh në Azinë jugore. Zonja Rice theksoi se marrëveshja, e cila do t’i jepte mundësi Shteteve të Bashkuara të furnizonin Indinë me lëndë djegëse dhe teknologji bërthamore, do të shmangte mundësinë që India të përdorte burime të paqëndrueshme, si Irani. Në se marrëveshja nuk miratohet, shtoi sekretarja Rajs, kjo mund të dëmtojë partneritetin e ri strategjik që po ndërtohet me Indinë. Disa senatorë demokratë të opozitës e kritikuan marrëveshjen.

Marrëveshja bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë u bë e njohur nga Presidenti Bush dhe kryeministri indian Manmohan Singh muajin e kaluar në New Delhi. Zyrtarët amerikanë kanë zhvilluar një fushatë thuajse të pandërprerë për ta bindur Kongresin mbi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Politike, Nicholas Burns, ka qenë zyrtari i caktuar nga adminisitrata për të kryesuar fushatën publike për këtë çështje. Në një numër forumesh publike ai e ka cilësuar marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për të konsoliduar statusin e ri të Indisë si partner strategjik i Shteteve të Bashkuara. Marrëveshja pritet të ndeshë në disa kundërshtime në Kongres.

Deri tani, kryetarët e Komisioneve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, nuk janë shprehur lidhur me marrëveshjen. Por ish-senatori Sam Nunnn, i cili megjithëse nuk është më në Senat mbetet një figurë me ndikim për çështjet ushtarake, është shprehur kundër marrëveshjes. Megjithatë, Sekretari i Jashtëm i Indisë Shyam Saran, ka besimin se Kongresi do ta miratojë marrëveshjen.

" Ne e respektojmë këtë debat dhe besojmë se çështja jonë e përbashkët do të jetë më e fortë, pasi ajo është objekt i një procesi rigoroz shqyrtimi, karakteristik për proceset demokratike. Unë kam besimin se në fund, do të pranohet fakti se India ka nevoja të mëdha për energji dhe se historikisht ka fakte, që e bëjnë atë një partner të besueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe bashkësisë ndërkombëtare."- tha ai.

Marrëveshja i jep mundësinë Indisë të sigurojë teknologji bërthamore për qëllime civile. Në shkëmbim, India është dakord ta ndajë programin e saj bërthmor në dy komponentë, në atë civil dhe në atë ushtarak dhe ta verë për herë të parë, pjesën më të madhe të objekteve të saj civile, nën kontrollin e inspektorëve ndërkombëtarë.

Eksperti i Traktatit për Mospërhapjen së Armëve Bërthamore, Michael Kreypon, thotë se marrëveshja me Indinë ndikon negativisht, duke shpërblyer kështu një vend që nuk ka pranuar ta nënshkruajë këtë marrëveshje dhe që ka prodhuar armë bërthamore.

"Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore kohët e fundit ka patur disa suksese, por ka ndeshur edhe në disa probleme dhe tensione. Programi bërthmor i Iranit, ai i Koresë së Veriut, kanë krijuar shumë tensione. Unë mendoj se marrëveshja me Indinë do ta tensionojë edhe më tej atë."-tha ai.

Por Nënsekretari Burns thotë se Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore mbetet në fuqi edhe në kushtet e marrëveshjes bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë.

"Shtetet e Bashkuara kanë besim të madh tek Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore. Ne nuk do ta njohim Indinë si fuqi bërthamore nën këndvështrimin e kësaj marrëveshjeje. Megjithatë, ne thjesht po përpiqemi t’i lemë hapësirë Indisë në fushën e mospërhapjes së armëve bërthamore.” - tha zoti Berns.

Zoti Krepon thotë se marrëveshja ka kuptim në se shihet si një përpjekje e Shteteve të Bashkuara për arritjen e një marrëdhënjeje më të ngushtë me Indinë, si kundërpeshë ndaj fuqizimit ekonomik dhe ushtarak të Kinës.

"Për ata që e mbështesin marrëveshjen, përgjigja qëndron në një vizion më të madh gjeopolitik dhe dhe gjeostrategjik, në kushtet kur Shtetet e Bashkuar dhe India bashkëpunojnë shumë ngushtë kundër një Kine në rritje. Mendoj se ky është justifikimi i vetëm për një marrëveshje të kësaj natyre, përderisa ajo dëmton së tepërmi traktatin e mospërhapjes së armëve bërthamore. Prandaj, ne kemi të bëjmë me një zotim të madh që ka të bëjë me bashkëpunimin në të ardhmen mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë, kundër kundërshtarëve të mundshëm të rëndësishëm, si Kina."-tha ai.

India ka një politikë ekportuese liberale dhe ka patur shqetësime se mungesa e kontrollit të fortë do të bëjë që teknologjia bërthmore të bjerë në duart e terroristëve. Sekretari i Jashtëm indian Saran thotë se India po merr masat përkatëse.

"Marrëveshja me Shtetet e Bashkuara ka të bëjë me bashkëpunimin në fushën bërthmore për synime civile. Ajo nuk ka të bëjë me armët bërthamore të Indisë. Megjithatë, ne e pranojmë, se në se partnerët tanë hyjnë në bashkëpunim me ne për energjinë bërthamore për synime civile, ato me të drejtë presin që teknologjia që hyn në Indi si pjesë e këtij bashkëpunimi, nuk duhet t’u jepet vendeve të tjera. Duhet të ketë kontrolle më të forta të eksporteve. Ne jemi të përgatitur për të dhënë garanci të tilla.” - tha Saran.

Disa ligjvënës amerikanë thonë se mund të kërkojnë t’i bëhen disa ndryshime marrëveshjes me Indinë, para se ta miratojnë atë. Zyrtarët amerikanë thotë se janë të hapur ndaj ideve të reja, por jo ndaj atyre që do të detyronin rinegocimin e marrëveshjes.///lk

XS
SM
MD
LG