Lidhje

Parlamenti shqiptar pezullon punimet për shkak të mosmarrëveshjeve


Për disa orë Këshilli i Rregullores në parlament ka diskutuar rreth propozimeve për ndryshimin e saj duke lënë pezull punimet e seancës së sotme.

Deputeti Neritan Ceka, kryetar i partisë Aleanca demokratike ka propozuar një variant të ndërmjetëm me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje. Sipas tij deri në sigurimin e një sistemi elektronik plotësisht të besueshëm, votimet do të duhet të bëhen me kuti nëse këtë e kërkon së paku një grup prej 7 deputetësh.

Deputeti Ceka u duk optimist për një afrim të pozicioneve mes palëve. Por në të vërtetë grupi parlamentar socialist e refuzon edhe një variant të tillë, duke kërkuar sanksionimin e votimit me kuti ose kur e kërkojnë 7 deputetë ose kur e kërkojnë 28 deputetë, pavarësisht nga sistemi elektronik. Ishte kjo arsyeja që socialistët nuk pranuan që sot parlamenti të vazhdonte punimet, pa marrë një zgjidhje cështja e rregullores. Një çështje e cila prej disa javësh e ka mbajtur thuajse tërësisht të bllokuar parlamentin i cili vetëm ditën e hënë pasi opozita braktisi sallën mundi të kalojë një grup ligjesh të rëndësishme të cilat kishin shkaktuar debate të ashpra më parë.

Situata e nderë nuk është pasqyruar vetëm në seancat parlamentare, por edhe në punimet e komisioneve. Në mjaft raste, mbledhjet e tyre janë ndërprerë pasi për shkak të mungesës së opozitës dhe ndonjë deputeti tjetër nuk është bërë e mundur arritja e numrit të nevojshëm.

Këshilli i Rregullores do të mblidhet sërish sot pasdite për të vazhduar diskutimet, Gjetja e një kompromisi do të zhbllokonte krizën në të cilën është mbërthyer parlamenti, i cili ditët e ardhshme do të marrë në shqyrtim edhe një cështje e cila shkaktoi shumë zhurmë brenda shumicës së djathtë, konflikti mes kryetarit të Komisionit të Ligjeve Spartak Ngjela dhe kryeministrit Sali Berisha.

Pas transmetimit të bisedës mes tyre, partia demokratike vendosi të marrë masa ndëshkuese ndaj zotit Ngjela duke i ngrirë atij anëtarësinë dhe duke nisur procedurat për shkarkimin e tij edhe nga kreu i komisionit të ligjeve. Një procedurë e cila do të kalojë nëpërmjet seancës së parlamentit e që mund të hapë sërish probleme mes partisë demokratike dhe disa prej aleatëve të saj të cilët janë shprehur hapur kundër shkarkimit të zotit Ngjela. //rd//

XS
SM
MD
LG